Skandale në emër të përfaqësimit

Tashmë është dëshmuar se Shaqir Fetai është “nëna e skandaleve”, jo sepse i ka qejf dhe i shkakton qëllimisht, porse ato vijnë si pasojë e cektësisë së tij mendore, si pasojë e injorancës, cinizmit, dhe parapëlqimit të tij për t’u rrethuar me marioneta prej druri. Shaqir Fetai do të ngelë sinonim i skandaleve më të turpshme në historinë e BFI-së

Nga Shejnaze Ahmeti

1.
“Ngushëllimi” i përcjellë nga i ashtuquajturi “reis” i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetai, me rastin e ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, është një shembull skandaloz i mungesës së ndjeshmërisë, vizionit dhe respektit institucional.
Në vend që të jetë një fjalë ngushëllimi gjithëpërfshirëse dhe dinjitoze për një lider botëror shpirtëror si Papa Françesku — një njeri që la gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen morale të njerëzimit — deklarata reduktohet në një “ngushëllim protokollar” të thatë, që më shumë fyen se sa nderon.
Kujt i shpreh ngushëllime Kryetari i BFI-së? Familjes së ngushtë?! Çfarë nënkupton kjo? A është Papa një figurë private, një qytetar i zakonshëm, që ka një rreth të ngushtë familjar që ndien humbjen? Jo, Papa Françesku ishte udhëheqësi suprem shpirtëror i mbi një miliardë katolikëve anembanë globit. Një burrë që përfaqësonte më shumë se një besim – ai mishëronte vlerat e paqes, dashurisë, dialogut dhe humanizmit. Dhe përkundër kësaj, komuniteti botëror katolik, i përfshirë në një dhimbje të thellë, nuk merr asnjë fjalë të drejtpërdrejtë ngushëllimi nga përfaqësuesi më i lartë i komunitetit mysliman në Maqedoninë e Veriut. Ky është një turp!
Të përmendësh vetëm Kishën Katolike në Maqedoni dhe ipeshkvin lokal, ndërsa injoron me heshtje Kishën Katolike Universale, që Papa e drejtonte, është jo vetëm mungesë etike, por një shkelje flagrante e normave të respektit ndërfetar. Është një lënie pas dore e qëllimshme ose e papërgjegjshme që shtron pyetjen: A e kupton Kryetari i BFI-së rolin dhe peshën globale të Papës?
Kjo deklaratë nuk është thjesht një gafë diplomatike. Është një pasqyrë e një qasjeje të ngushtë, provinciale, të paaftë për të komunikuar me gjuhën e përbashkët të njerëzimit, sidomos kur bëhet fjalë për figura që tejkalojnë kufijtë fetarë, kombëtarë e kulturorë. Papa Françesku ishte mik i myslimanëve, zë i dialogut me botën islame dhe kritik i padrejtësive globale — dhe për këtë ai meritonte më shumë. Papa Françesku, të paktën nja pesë herë publikisht ka ngritur zërin kundër gjenocidit izraelit që po ushtrohet mbi palestinezët, ndërkohë që Shaqir Fetai nuk ka shprehur më të voglin shqetësim për palestinezët derisa publikisht ka ndarë dhembje për ukrainezët që po masakrohen nga rusët! 
Ngushëllimi i Kryetarit të BFI-së duhej të ishte një akt madhështor empatie e uniteti, një mundësi për të treguar vlera të larta shpirtërore e njerëzore. Përkundrazi, ai u shndërrua në një tekst të thatë, të varfër dhe të turpshëm — që më shumë lë plagë sesa shëron.
Është koha që përfaqësuesit fetarë, sidomos ata që mbajnë tituj të lartë, të kuptojnë se nuk janë thjesht udhëheqës të një komuniteti të ngushtë, por zëra që përfaqësojnë një besim të tërë në skenën publike. Dhe për këtë, nuk ka vend për indiferencë, arrogancë apo mediokritet.

2.
Në një kohë kur shoqëria shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka më shumë se kurrë nevojë për unitet, transparencë dhe drejtësi brenda institucioneve fetare, dëshmojmë një tjetër episod të shëmtuar, të ndyrë dhe të neveritshëm të arrogancës personale dhe dëshirës për pushtet të verbër. Këtë herë, protagonisti i këtij turpi institucional është askush tjetër përveç Shaqir Fetait – njeriu që në vend se të jetë simbol i urtësisë, paqes dhe pjekurisë shpirtërore, po shndërrohet dita-ditës në sinonim të përçarjes, inatit dhe tiranisë së brendshme në Bashkësinë Fetare Islame.
Sipas burimeve të afërta me zhvillimet brenda Myftinisë së Tetovës, Qani Nesimi – një figurë që, pavarësisht kontestimeve, ka ruajtur një lloj dinjiteti institucional – i ka ofruar një marrëveshje të guximshme dhe fisnike Shaqir Fetait. Një ofertë që ftonte në reflektim, maturi dhe pajtim të brendshëm: të dy palët të tërhiqen nga pozicionet e diskutueshme dhe të hapet rruga për zgjedhje të lira, demokratike e gjithëpërfshirëse për kreun e ri të Myftinisë së Tetovës, pa kandidimin e figurave të kontestuara.
Çfarë bëri Shaqir Fetai? Asgjë më shumë sesa atë që ka dëshmuar prej kohësh: refuzim arrogant, imponim autoritar dhe një shije të hidhur për pushtet absolut. Me një ego të fryrë përtej çdo mase normale, ai zgjodhi të përqeshë dialogun dhe kompromisin, duke iu mbështetur “triumfit” të një drejtësie të kalbur, që ka humbur besimin e mbi 98% të qytetarëve të vendit. Një drejtësi që më shumë shërben si levë e pushteteve të korruptuara se sa si garanci e së drejtës së vërtetë.
Ky refuzim nuk është veç një akt personal. Është një atentat i drejtpërdrejtë ndaj unitetit të Bashkësisë Fetare Islame. Është një goditje e rëndë ndaj moralit fetar dhe vetë vlerave islame që propagandojnë pajtimin, urtësinë dhe largpamësinë. Shaqir Fetai sot nuk përfaqëson më një lider fetar – ai përfaqëson fytyrën më të errët të kapjes së institucionit fetar për interesa të pastra personale dhe politike.
A e di Shaqir Fetai se çfarë dëmi po i bën fesë, bashkësisë dhe vetë identitetit të myslimanëve shqiptarë në këtë vend? Apo ndoshta ky është qëllimi? Të shkatërrojë çdo gur të besueshmërisë që i ka mbetur këtij institucioni?
Turp! Turp për një lider që ka zgjedhur të jetë diktator i një myftinie të përçarë në vend që të jetë udhëheqës i një bashkësie të pajtuar. Turp për një njeri që përdhos fenë për të ushqyer egon. Dhe turp për çdo institucion që hesht përballë kësaj maskarade!
Është koha që zëri i arsyes të ngrihet. Është koha që shoqëria, komuniteti dhe vetë strukturat e BFI-së të mos qëndrojnë më peng i një njeriu që e sheh institucionin si pronë të vetën. Koha për pastrim, transparencë dhe rikthim të dinjitetit ka ardhur. Mjaft më me Fetajllëkun!

3.
Ka disa tekste që duhen lexuar me sy kritik. Ka disa që të shkaktojnë neveri nga patetika dhe servilizmi, si ato “filozofemat” adoleshente të Shaqir Fetait. Këto “margaritarë” thjesht të lënë pa fjalë – jo nga madhështia, por nga absurdi. Një nga ato “krijime letrare” që do të duhej të shërbente si raport pune dhe jo “filozofemë” patetike, përfundon si një kolazh infantil fjalësh të zbrazëta, fraza pa kuptim dhe superlativa të kota që vetëm konfirmojnë krizën morale dhe mendore që e ka kapluar BFI-në nën drejtimin e Shaqir Fetait.
Të thuash që “puna është përshkuar nga fryma e angazhimit maksimal në adhurim, agjërim, meditim” – është, në mos tjetër, një blasfemi logjike. Që kur adhurimi ndaj Zotit, agjërimi dhe meditimi qenkan aktivitete që drejtohen nga zyra e një burokrati fetar si Shaqir Fetai? Që kur agjërimi i myslimanëve qenkan sukses personal i Fetait? A kemi humbur çdo sens të përmasës shpirtërore dhe e kemi kthyer Ramazanin në një fushatë publicitare për promovimin e ego-s së një “myftiu” që ka frikë edhe nga zgjedhjet brenda komunitetit të vet?
Dhe pastaj, fraza brilante që ia vlen të hyjë në antologjitë e ironisë: “Vërtet kanë qenë të palodhshëm natë e ditë – me iftare…”. Pra, logjika është kjo: Agjërimi paska qenë i palodhshëm sepse janë organizuar iftare? Kjo është njësoj si të thuash që maratona nuk lodh fare… sepse pas garës u shpërnda pica falas. Turp për këtë përpjekje të ulët për ta shitur Ramazanin si një spektakël ushqimor, ndërkohë që asnjë aksion humanitar real nuk është evidentuar, përveçse një rruge të vetme: zhdukjes misterioze të 24 tonëve hurma të dhuruara nga Arabia Saudite! Ku janë ato hurma? Kush i shpërndau? Kush i përfitoi? Apo u tretën si agjërimi “i palodhshëm” në rrjetin e korrupsionit të organizuar?
Të thuash që janë bërë panele shkencore, ligjërata në çdo cep, për çdo grupmoshë – është një tallje me realitetin. Përveç disa shfaqjeve të orkestruara për kamera, nuk ka pasur ndonjë ndikim të thellë edukues ose fetar. Thjesht aktivitet “për sy e faqe”, për t’u lavdëruar më pas në rrjete sociale dhe për ta bërë Shaqir Fetain të duket si “udhëheqës shpirtëror”, ndërkohë që ai ka qenë dhe mbetet simbol i krizës, manipulimit dhe përçarjes brenda Bashkësisë Fetare Islame.
Kjo gjuhë e fryrë, e shkëputur nga realiteti dhe nga ndjenja më bazike e sinqeritetit, nuk është as raport, as reflektim, as përmbledhje pune. Është një broçkull e trishtueshme që tenton të mbulojë mungesën e vizionit, mungesën e ndershmërisë dhe mungesën e moralit. Sepse kur nuk ke fakte, nxjerr fjalë. Kur nuk ke punë, shpik punë. Dhe kur nuk ke Zot në zemër, flet për Zotin për të mbuluar egon tënde të sëmurë.
Është koha që myslimanët e këtij vendi të kërkojnë përgjegjësi, jo poezi boshe. Të kërkojnë llogari, jo fjalime festive. Të mos bien më pre e teksteve që janë aq të kota sa që vetëm një njeri që nuk ka as besim, as respekt për komunitetin, mund t’i shkruajë me aq paftyrësi.
Shaqir Fetai dhe klika e tij mund të shkruajnë sa të duan, por realiteti nuk fshihet me fjalë. Ai zbulohet, dhe ai realitet sot është: Ramazani nuk ishte një sukses i tyre. Ishte vetëm një muaj tjetër që dëshmoi se sa larg janë ata nga përgjegjësia dhe sa afër janë pranë xhepit të vet në format të thesit gjigant.

Leave a Reply