S’pati asnjë izolim, por a dështoi strategjia e Suedisë kundër Covid-19 apo pati sukses?

Mbreti i Suedisë Carl XVI Gustaf e ka përshkruar vitin 2020 si një vit “të tmerrshëm” dhe thotë se strategjia kombëtare e koronavirusit ka dështuar.

Suedia është kritikuar gjerësisht për qasjen e saj në trajtimin e pandemisë, duke u mbështetur më shumë në dhënien e udhëzimeve dhe nuk e bëri në asnjë moment mbajtjen e maskës të detyrueshme.

Vendi ka regjistruar gati 350,000 raste dhe më shumë se 7,800 vdekje.

“Mendoj se kemi dështuar. Kemi një numër të madh viktimash dhe kjo është e tmerrshme”, -u shpreh mbreti në një program të përvitshëm televiziv.

“Njerëzit e Suedisë kanë vuajtur jashtëzakonisht në kushte të vështira. Mendoni për të gjithë njerëzit që kanë humbur anëtarët e familjes dhe nuk kanë pasur mundësi t’u thonë as lamtumirë. Unë mendoj se është një përvojë e vështirë dhe traumatike të mos jesh në gjendje të thuash një mirupafshim të ngrohtë”.

Suedia nuk është mbështetur në sanksionet ligjore, por është mbështetur te ndjenja e përgjegjësisë dhe detyrës qytetare, duke dhënë vetëm rekomandime. Vendi nuk ka vendosur kurrë sanksione në rastet kur ato nuk janë marrë parasysh.

Suedia nuk vendosi një bllokim mbarëkombëtar, si pjesa tjetër e botës, dhe shumica e shkollave, bareve dhe restoranteve kanë qenë të hapura.

Epidemiologu shtetëror i Suedisë, Anders Tegnell, në nëntor shpjegoi se strategjia mbështetej në një kombinim të masave ligjore dhe vullnetare. Megjithatë disa masa janë të detyrueshme, si tubimet publike me mbi tetë persona, që janë të ndaluara.

Sipas një raporti zyrtar të publikuar në fillim të kësaj jave, strategjia dështoi në përpjekjen e saj për të mbrojtur të moshuarit në shtëpitë e kujdesit – gjë për të cilën qeveria ka pranuar përgjegjësinë.

Mbi 90% e vdekjeve të lidhura me Covid kanë qenë midis njerëzve të moshës 70 vjeç e lart dhe gati gjysma e të gjitha vdekjeve Covid kanë qenë në shtëpitë e kujdesit, thotë qeveria. Suedia gjithashtu ka një nga nivelet më të larta të vdekjeve për banorë në botë.

Të martën, Kryeministri Stefan Lofven tha se mendonte se shumë ekspertë e kishin nënvlerësuar valën e dytë.

Leave a Reply