Spitali Rajonal Memorial i Fierit/ Rama: Platforma për të filluar pastrimin e sistemit shëndetësor

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për ERTV-në nga kantieri i Spitalit Rajonal Memorial të Fierit, vlerësoi se gjithçka po funksionon si sahat zviceran.

“Jam i lumtur me gjithçka se realisht po funksionon si sahat zviceran. Premtimin për ndërtimin brenda 3 muajve e ka dhënë Presidenti Erdogan, unë kam qenë i rezervuar, por me sa shoh, afati do tejkalohet, jo vetëm do të kapet”, tha Rama. Kryeministri theksoi se absolutisht Spitali Rajonal Memorial i Fierit do të jetë pjesë e sistemit të shërbimit tonë shëndetësor publik, njësoj si gjithë spitalet e tjera, por do të administrohet krejt ndryshe.

“Do të jetë një qendër pilot e transferimit të dijes dhe e vënies në funksion të autonomisë spitalore që me t’u implementuar këtu do të shtrihet edhe në spitalet e tjera. Që do të thotë që buxheti do të menaxhohet nga spitali, rrogat nuk do të jenë fikse njësoj për të gjithë por mjekët dhe infermierët do të paguhen sipas performancës, pra sipas numrit të operacioneve, vizitave etj”, tha ai.

Rama tha se “paralelisht me punën në kantier vazhdon puna mes dy ekipeve të ngarkuara nga të dyja ministritë”. “Sot kthehet ekipi nga Ankaraja ku kanë qenë për të finalizuar modelin. 50 persona menaxherë, shefa pavionesh, mjekë dhe infermierë për të bërë kryeinfermierët dhe shërbime specifike do të jenë turq dhe 320 do të jenë shqiptarë, mjekë dhe infermierë, të rinj e të reja që do të testohen dhe angazhohen prej tyre. Pranë tyre do të vendoset në skuadrën e menaxhimit edhe një numër i caktuar 2-3 kandidatë për të marrë në dorë menaxhimin kur të mbaroj tranzicioni që do të kenë mësuar mirë punën. Po kështu dhe pranë shefave të pavioneve e kështu me radhë. Gjithçka është sipas planit”, tha Rama. Kryeministri theksoi se “lajmi i mirë për mua që jam njësoj i pakënaqur, siç janë të gjithë qytetarët e pakënaqur me faktin që ndërkohë që mjekët e infermierët bëjnë heroizma ka mes tyre qeliza kancerogjene që afektojnë gjithë sistemin tonë, është sot ky spital platforma për të filluar dhe pastrimin e tyre, sepse mënyra si funksionon sistemi bën që të garantohet transparenca”.

“I gjithë sistemi do të ndryshojë në këtë sens. Edhe Turqia kur ka nisur reforma e madhe e shëndetësisë ka nisur si këtu. Në fillim me risistemimin e infrastrukturës të spitaleve, me organizimi i linjave të furnizimit, me depot e barnave dhe pastaj është hyrë në fazën e autonomisë spitalore, siç po bëjmë ne sot”, tha Rama. I pyetur mbi deklaratat e Presidentit Ilir Meta sipas të cilit mungon një plan i qartë vaksinimi, Rama tha se “Ilir Meta është në fakt shpërdoruesi i rolit dhe zyrës së Presidentit”.

“Thirrja e tij për të reformuar shëndetësinë vjen nga këshillat e Peço Vasilit dhe të atyre që e kishin mundësinë ta reformonin shëndetësinë. Dhe koha kur LSI drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë me Peço Vasilin është koha më e zymtë e gjithë periudhës së errët përpara se sa ne të merrnim detyrën”, tha Rama. Ai theksoi se “vaksinimi do të shtrihet tek moshat mbi 80 vjeç”. “Nëse Presidenti mendon se Tinka Kurti dhe Reshat Arbana duhet të presin radhën në fund dhe nuk duhet të vaksinohen në fillim si 80-vjeçarë mes 80-vjeçarëve unë kam mendim tjetër. Ashtu sikundër nëse Presidenti flet për vaksinat njësoj si flet për votat e rrjedhura të LSI-së, që i konsideron vota të marra, kjo është puna e tij. Ajo që mund të them është se ky njeri është bërë si dordolecët që vihen nëpër fusha për të trembur zogjtë, por ka një detyrë tjetër që e ka braktisur prej kohësh”, tha Rama.

I pyetur mbi planin 14-mujor për vaksinimin, Kryeministri tha se “unë kam shumë besim se ne do t’ja arrijmë, ndërkohë puna vazhdon”. “Sot që flasim, por këtë Presidenti i shqiptarëve që flet për Shqipërinë dhe shqiptarët por mendon vetëm për vete dhe ndërmarrjen e gruas së tij nuk e merr në konsideratë, janë 140 shtete, përfshirë edhe shtetet e rajonit tonë që nuk kanë marrë asnjë dozë vaksine dhe nuk e kanë idenë se kur do t’ju vijë doza e parë e vaksinës”, tha Rama. Ndërkohë, ai theksoi se “ne tani kemi garantuar personelin shëndetësor, kemi garantuar të moshuarit në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit, po fillojmë me 80-vjeçarët e do të vazhdojmë kështu hap pas hapi me gjithë të tjerët”.

“Ky është realiteti, ata thjesht duan të rimarrin në dorë pushtetin e humbur njëherë e mirë dhe nuk kanë për ta rimarrë deri kur këta do të jenë në krye të forcave që janë, duhet të ishin në fakt alternativa”, tha Rama.

https://m.facebook.com/watch/?v=695122721181737

Leave a Reply