Statusi i organizatave përkatëse në sistemin kulturor

Midis nesh

Çka duhet të synojnë shoqatat apo organizatat kulturore gjatë zbatimit të projekteve të parapara në programet e tyre kulturore? A është synim realizimi i qëllimit: përfundimi me sukses i aktiviteteve kulturore? Po, kështu rezonojnë boss-ët kulturorë, të cilët kanë themeluar organizata duke i konceptuar ato si tezga fruta-perimesh që duhet të shiten deri në mbrëmje dhe në shtëpi të shkohet me fitimin e pastër!
Një organizatë kulturore e përgjegjshme, me politika të qarta që mundësojnë avancimin kulturor në jetën e përgjithshme, përmes programit të vet kulturor do të synonte të kapte majat e institucioneve të suksesshme kulturore, duke ia siguruar vetes një status sa më të lartë në sistemin kulturor. Ky angazhim kulmor i një organizate të tillë, në fakt vetes do t’i siguronte një rol dhe detyrë por edhe një mundësi reale për t’u inkuadruar nëpër debate kulturo-politike, të promovojë ide të shëndosha, të qëndrueshme dhe estetike si dhe të kontribuojë për ngritjen e standardeve profesionale.
Pothuajse nuk na kalon javë pa organizuar orë e takime letrare, manifestime e festivale teatrale, filmike, muzikore, nuk na kalon javë pa ndonjë koncert muzikor-folklorik etj. Janë edhe po aq organizime për të cilat nuk dëgjojmë asnjë fjalë, sikur turpërohemi prej atyre organizimeve “kulturore”, asnjë shënim në ndonjë mjet nacional informimi! Dikush mendon se me rëndësi është që të bëjmë diçka në sferën e kulturës dhe jo të informojmë se çka u bë në këtë rrafsh!
Shoqëritë e civilizuara nuk ndërmarrin asnjë lëvizje kulturore pa e siguruar paraprakisht informimin i cili duhet të shkojë te çdo qytetar lidhur me aktivitetin kulturor që është ndërmarrë. Me këtë akt, organizatat kulturore jo që nuk tolerojnë që të mbahet në fshehtësi aktiviteti i tyre, por, ato synojnë që duke dalë në publik të sigurojnë vende sa më të larta në sistemin kulturor. Ky duhet të jetë synimi final i shoqatave apo i organizatave tona kulturore. Fatkeqësisht, me përfundimin e projektit nga shoqatat apo organizatat tona nga rrafshi kulturor, përfundon gjithçka, eventualisht duke lëshuar ndonjë komunikatë për opinion sa për të kumtuar se, me këtë pikë artistike mori fund projekti kulturor! Asnjë organizim tjetër as për të debatuar mbi manifestimin apo festivalin që përfundoi, as për të kumtuar ndonjë rezultat, ndonjë të arritur, as për të folur mbi qëllimin, mbi identifikimin e problemeve të reja që dolën në sipërfaqe përgjatë realizimit të projektit etj.
Edhe komunikimi me opinionin pos-manifestimit apo post-festivalit është kulturë, është dëshmi e seriozitetit dhe profesionalizmit të akcilës organizatë në sferën e kulturës. Drejtuesit e këtyre organizatave që zhvillojnë ndonjë aktivitet kulturor dhe, e fshehin atë prej opinionin për ta harruar sa më shpejtë, shkaktojnë dyshime për ndonjë fajt eventual të tyre! Fshehja e këtyre aktiviteteve nga opinioni i gjerë, ka të bëjë, mbi të gjitha, me kriminalizimin e “zhvillimeve kulturore”! Janë marrë lekët, është bërë një aktivitet sa për sy e faqe, është dorëzuar një raport narrativ, jo profesionalisht i mbështetur me fatura e vërtetime fiskale dhe, prandaj, bëhet mirë sikur të heshtet sa më parë! Kësisoj, këto organizata kulturore shërbejnë për ta pasuruar pronarin e “sipërmarrjes” dhe jo edhe për ta begatuar jetën kulturore.
Kultura nuk është sezonale apo javore, apo dy-tri orë lexim poezish, recitim patetik e aktrim arlekinësh! Kulturë nënkuptohet edhe debati i përditshëm për dhe rreth kulturës, për proceset kulturore apo për mungesën totale të jetës kulturore në shoqëri. Kulturë është edhe ndërgjegjësimi i mediave që debatin, emisionin kulturor, faqen kulturore, mos ta konceptojnë si “ngjarje kulturore” ad hoc, porse program kombëtar mediatik. /HEJZA/

Leave a Reply