“T’i përdorin për sulme brenda Rusisë”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg i bëri thirrje vendeve aleate përmes një interviste për “The Economist”, të heqin çdo barrierë ndaj Ukrainës për përdorimin e armëve që ato i kanë dhënë për të luftuar rusët.
“Veçanërisht tani që po zhvillohen luftime të ashpra në Harkiv, pranë kufirit, t’i heqësh Ukrainës mundësinë për të përdorur këto armë kundër objektivave të ligjshme ushtarake brenda territorit rus ua bën atyre edhe më të vështirë mbrojtjen e vetvetes.”
Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, dy furnizuesit më të mëdhenj të Ukrainës me armë ia kanë ndaluar ushtrisë ukrainase përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi të prodhuara në këto vende, për të kryer sulme brenda territorit rus.
Uashingtoni dhe Berlini duan të shmangin përhapjen e luftës përtej kufijve të Ukrainës dhe të shmangin një konfrontim fatal mes Rusisë dhe NATO-s. Moska ka paralajmëruar se përdorimi i armëve të shteteve perëndimore nga Ukraina për të kryer sulme në territorin rus do të konsiderohet dhe të marrë një përgjigje sikur sulmet të ishin kryer nga vendet e origjinës së armëve.