Suedia ka dëbuar 1100 shtetas britanikë që nga BREXIT, më shumë se çdo vend tjetër në Bashkimin Evropian, sipas statistikave zyrtare të publikuara nga Komisioni Evropian.
Shifrat vijnë teksa janë shtuar polemikat mbi vendimin “thellësisht tronditës” të autoriteteve të imigracionit të vendit për të urdhëruar një grua 74-vjeçare britanike me Alzheimer të largohej nga vendi sepse ajo nuk kishte dokumente qëndrimi pas BREXIT.
Shifrat e publikuara më 31 mars nga Eurostat e vendosin vendin skandinav në krye të listave të dëbimit të qytetarëve britanikë pas BREXIT. Madje, në mënyrë disproporcionale krahasuar me vendet më të populluara si Franca dhe Gjermania, të cilat kishin lëshuar urdhra largimi për 115, përkatësisht 40 shtetas britanikë që nga ajo kohë, raporton theguardian.
Spanja, Italia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia dhe Luksemburgu nuk dëbuan asnjë shtetas britanik në vitet 2021 ose 2022. Pas Suedisë, Holanda ishte përgjegjëse për numrin e dytë më të lartë të largimeve, me 720, e ndjekur nga Malta (135) dhe Franca ( 115).
Në total, BE-ja largoi 2,610 shtetas britanikë në vitin 2021 dhe 2022. Të gjitha vendet e tjera anëtare të BE-së larguan më pak se 100 shtetas britanikë në të njëjtën periudhë.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se 1,350 ishin të moshës mbi 35 vjeç, 1,025 ishin midis 18 dhe 34 vjeç, 35 ishin adoleshentë midis 14 dhe 17 dhe 170 ishin nën 14 vjeç.
Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar nga Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja, të gjithë shtetasit e BE-së që jetojnë ligjërisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe qytetarët britanikë që jetojnë në një vend të BE-së ose Zonës Ekonomike Evropiane para BREXIT, mund të vazhdonin të jetonin përjetësisht në ato vende.