Synojmë kthesën ndaj Moldavisë, ja si pritet të rreshtohen kuqezinjtë

Shqipëria do të luajë sonte me Moldavinë në orën 20:45 takimin e 8-të kualifikues të Euro 2020.

Kuqezinjtë që janë pjesë e grupit H i kanë “larë” duart në këtë edicion kualifikues, ku vetëm një çmenduri do t’i shikonte në finalet e Europianit që zhvillohet vitin e ardhshëm.

Kombëtarja e drejtuar nga Edi Reja niset favorite përballë një kundërshtari modest, por fusha pritet të tregojë “fytyrën” e vërtetë të këtij 90 minutëshi. Humbja në limitet e kohës së rregullt në ndeshjen e shkuar ndaj Turqisë ka tronditur jo pak psikologjinë e kuqezinjve. Gjithsesi, ndaj Moldavisë, Shqipëria do të synojë një tjetër panoramë.

Formacioni që do të hidhet në fushë pritet me mjaft interes. Pavarësisht daljes së gabuar te goli i Tosun, Strakosha besohet se do ta nis nga minuta e parë në katërkëndëshin e kuqezinjve. Para tij nuk mendohet të ketë shumë ndryshime, me Ismajlin, Dermakun e Djimsitin që do të formojnë repartin e mbrojtjes.

Mesfusha do të ketë një tjetër fytyrë. Roshi pritet ta nis nga minuta e parë, së bashku me Lenjanin, Gjasulën e Baren. Selahi pritet të marrë vendin e Memushaj në këtë repart, teksa sulmi pritet të jetë i formatuar. Vendin e Manaj e Cikalleshit pritet ta marrë Balaj dhe Seferi.

Leave a Reply