Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe kryeministri serb Aleksandar Vuçiç, në takimin e përbashkët të zhvilluar këtë të mërkurë në Tiranë kanë konfirmuar vullnetin për të çuar përpara marrëdhëniet dhe projektet dypalëshe.
“Vizita e kryeministrit Vuçiç ndodh në një moment historik për ecurinë e marrëdhënieve mes dy vendeve. Kjo vizitë konfirmon angazhimin konkret për vazhdimin e projekteve rajonale”, citohet të ketë thënë Meta gjatë takimit.
Sipas një komunikate për shtyp të shpërndarë nga zyra e Kuvendit, kryetari i këtij institucioni ka shprehur gjithashtu gatishmërinë që parlamentet e dy vendeve të rrisin bashkëpunimin.
“Marrëdhëniet mes popullit serb dhe atij shqiptar janë kyçe në rajon. Është detyrë e politikanëve të dy vendeve që të ndërtojnë mirëbesimin reciprok”, citohet më tej Meta.
Në njoftimin zyrtar saktësohet më tej se, kryetari i Kuvendit ka vlerësuar se, të dy vendet duhet të maksimizojnë energjitë në mbështetje të perspektivës evropiane.