Të jeshë “i sinqertë” në vjedhje

Shaqir Fetai mund të krahasohet me atë hajn i cili, vjen te dera, i bie ziles, del zonja plakë të cilës i thotë: e dashur, jam hajn, erdha t’ju plaçkis, ju lutem, më leni rahat të vjedh dhe të dalë qetë, pa dhunë e përdhunim! Do të kaloni lehtë edhe ju edhe unë

Shkruan Saqip Sinani

Shaqir Fetai ka lëshuar një apel nën moton “DHURO KURBANIN TËND NË MEDRESENË ISA BEU”! Vjedhje tipike e hajnave të qetë dhe shumë të frikshëm, të atyre hajnave që, në rastë se u del përpara, ata, për plaçkën e vet, janë në gjendje të ta vjedhin edhe jetën! Do me thënë – hajn kriminel!

Nën këtë moto, shtohet teksti hipokrit i Shaqir Fetait: na i sillni nga 120 euro se ne ua blejmë kurbanin dhe ua therrim për nevojat e medresesë, pjesa tjetër u dhurohet nevojtarëve!

A e di Shaqir Fetai se sa është ajo nevojë e Medresesë Isa Beu për mish? Sa është nevoja e fukarave në vend për mish!

Sa mish u tubua vjet për mensën e Medresesë Isa Beu, ku shkoi ai mish, sa u shpenzua nga nxënësit!

Pse tallet Shaqir Fetai me kurbanët e myslimanëve të vendit. Çka do të bënte Shaqir Fetai sikur sivjet myslimanët të organizuar t’ia dorëzonin ne Medrese nja 10 mij kurbana të gjallë? Unë dua ta dhuroj kurbanin tim ekskluzivisht për nxënësit e Medresesë, atëherë, pse të shkojë mishi im te dikush tjetër! Pse të specifikohet për “Medresenë Isa Beu” dhe të përfundojë madje edhe te ata që do ta përdorin “meze me raki”! A na garanton Shaqir Fetai se nuk ka në BFI njeri i cili në emër të gazetarëve të Maqedonisë, i çon në shtëpi nga 100 pako me nga 10 kg mish kurbani! Pastaj, a po kërkojmë kurbana për Medrese apo për gazetarë (ekskluzivisht për ata gazetarë që vihen në shërbim të hajnisë, dilentantizmit dhe hipokrizisë  së Shaqir Fetait!)

A ka raportuar Shaqir Fetai se sa para u mblodhën në Rijaset, sa nëpër myftini dhe sa në Medrese! Po pse ato para të mblidhen në Rijaset, po pse nëpër Myftini, kur, apeli është DHURO KURBANIN TËND NË MEDRESENË ISA BEU!

Vjedhje sipas rregullores

Hajni e pastër, tallje me kurbana të myslimanëve, zhvatje e djersës së të devotshmëve! Çdo tubim pa transparencë është vjedhje e pastër, është krim, vepër penale, pa dyshim!

Tubojnë myfninitë, pastaj ato sa të duan paraqesin në Rijaset!

Të gjithë myslimanët e vendit e dinë se Medresja ka nevoja të shumta, përveç mishit. Le të tregojnë se sa para do të ngelë nga secili kurban i paguar, le të tregojnë se si do të shpenzohen ato para të mbetura. Le të jenë edhe transparent në tubimin e mjeteve për kurbanë të paguar. Le ta cektojnë një tavan të nevojave, medresja ka nevojë brenda një viti për 20 ton mish, dhe, kur të mbushet kjo kuotë do të ishte shumë korrekte dhe normale, shumë humane dhe islamikisht në rregull që t’ju thuhet myslimanëve se, kurbani i tyre do të shkojë për fukara, sepse, nevojat e Medresesë u përmbushën!

“Fondi i zi” i Shaqir Fetait

A janë haram ato para që vidhen prej myslimanëve në emër të Kurbanit? Çka i duhen paratë haram Shaqir Fetait? Paraja haram është para e “fondit të zi”, një fondi nga i cili paguhen njerëzit haram, njerëzit e kotë, ata që nuk kanë kurrfarë lidhje as me fe e as me njerzillëk! Fond i zi që sigurohet nga paratë e kurbanit, nga fitri e zeqati! Turp e trishtim!

Shaqir Fetai paguan njerëz, madje edhe “funksionarë të BFI-së” të cilët kurrë nuk shkojnë në punë, ndërsa nuk guxon të ndërmarrë masa disiplinore kundër tyre, sepse, menjëherë do të hidhërohen shërbimet që e instaluan në krye të BFI-së, si dhe të tjerët që mund t’ia shpalosin të gjitha të bëmat idiotike e të pista që i ka kryer përgjatë këtyre tridhjetë viteve të karrierës së tij të diskutueshme.

Shaqir Fetai ka punësuar njeri, madje me rrogë të majme, puna e të cilit është që t’i përcjellë “llajkat”, të shikojë se kush nga nëpunësit e BFI-së u jep “llajka” shkrimeve kritike dhe me qëndrime opozitare nëpër dhjetra portale, të cilat po e lakuriqësojnë deri në palcë Shaqir Fetain! I shkreti mendon se, kështu më lehtë do t’i gjuajë të gjithë ata që janë “me ne” dhe “me ata”! I shkreti, nuk e ka idenë se shkrimet nuk bëhen për “llajke”, shkrimet janë informacion, informacioni lexohet dhe “arkivohet” në tru, dhe, për këtë gjë, nuk ka nevojë as edhe për një “llajk”! Shkrimet lexohen, krijojnë opinion, e animojnë opinionin dhe e mbajnë në vijën e duhur, në rastin konkret, e mbajnë në rrugën islame! Në mesin e nëpunësve të BFI-së, ditën që nuk ka shkrime kritike, i kap një shqetësim, një hidhërim, një dëshpërim se pse sot nuk ka shkrim që e zbërthen Shaqir Fetain!

Është jashtë çdo norme islame punësimi i spiunëve, i “llajkaxhinjëve”, punësimi i hajnave, zinaxhinjëve, pisave, bixhozxhinjëve, matrapazëve, tradhëtarëve, udbashëve! A ka më trishtim se krejt udbashët të ngriten në këmbë dhe të hedhin gurthemel të një xhamie të vjetër, me një të kaluar përplotë thashetheme që devalvojnë moralin, njerzillëkun, intelegjencien?!

Pse heshtin dëmtuesit e jetës institucionale islame

Shaqir Fetai e ka vjedhë kurbanin, pa dyshim, kështu që, nuk i ka fare hije që të dalë e të bëjë apel për pagim të kurbanit, sepse, automatikisht nënkupton se po hapet oreksi i tij i vjedhjes.

Shaqir Fetai e vjedh edhe diasporën, sepse, pa vetëdije shndërrohet në mekanizëm të shpëlarjes së parave të vjedhura nga ata që tubojnë “kurbanë”! Marrëveshja është “kaq për ju, dhe ju ta heshtni pjesën tjetër, të cilën do t’ua shpërndajmë shoqatave të ndryshme humanitare”!

Kur bie fjala te këto “shoqata humanitare”, pse Shaqir Fetai nuk i kërkon, për shembull, Qenan Ismailit, të dalë ai publikisht dhe të thotë “myslimanë, jepni vetëm për medresenë dhe jo për “shoqata” të tjera të themeluara për ta dëmtuar BFI-në”! Pse nuk del Irsal Jakupi, sekretari i Shaqir Fetait, i cili, punësimin në BFI e kishte të kushtëzuar me mbylljen e FRI-se në Gostivar! Pse nuk del ky farë sekretarice e të apelojë që kurbani të dhurohet vetëm për Medresenë dhe jo për shoqatat e tjera! Po ai shefi i kabineti të Shaquas, pse ai nuk del e të bërtasë me sa zë që ka “dajo, mjaft e dëmtove Medresenë duke mbledhur kurbana për Forumin rinor mysliman”! Pse nuk e shfrytëzoi Sabahudin Mahmutin gjatë “takimit epik” që e pati me të dhe të kërkonte prej tij që të apelonte që kurbanët të dhurohen vetëm për Medresenë Isa Beu dhe jo edhe për “qendrën e tij”!

Dilemë për një debat publik

Fatkeqësisht, sivjet nga diaspora më shumë fitra e zeqate kanë përfunduar në duart e “shoqatave myslimane” në vend të cilat funksionojnë absolutisht për vete dhe në dëm të BFI-së, se sa që u dhanë për zhvillimin e jetës institucionale fetare islame në Maqedoninë e Veriut. Po kështu do të jetë puna edhe me Kurbanët dhe, këtë e di Shaqir Fetai, këtë e toleron Shaqir Fetai, këtë e stimulon Shaqir Fetai, sepse, të tillët i ka brenda, bashkëpunon me ta, me këta thurrë plane për të ardhmen personale, sepse, e di që shumë shpejt do t’i duhet t’i mbledhë plaçkat. Dhe ai dëshiron që plaçkat e tij të jenë të kushtueshme dhe kjo arrihet vetëm me paratë e vjedhura.

Shaqir Fetai fenë islame në Maqedoninë e Veriut e ka shndërruar në “sekt” dhe, jo rastësisht ai nënvizon se ne kultivojmë islamin e “sektit Hanefi”! Islami nuk e duron zhvillimin e vet mbi baza të “misteriozitetit”, sikurse sektet e ndryshme, nuk e duron zhvillimin e vet në fshehtësira të denja për botën mafioze, për kriminelët! Islami e do, e preferon dhe e urdhëron transparencën. Islami në zhvillim nuk e do zhurmën, e do planifikimin, paraprakisht të hedhur në debat, e do mendimin e gjërë, e do depërtimin e informacionit në çdo cep të botës.

Ka ardhur koha që të dëshmojmë se ISLAM do të thotë planifikim, debat, transparencë dhe gjithëpërfshirje! Në “rijasetin” e Shaqir Fetait, në stafin e bashkëpunëtorëve të tij, mund të ketë gjithçka por, vetëm islam jo! Prandaj, a është veprim islam dhurimi i kurbanit për ata që e devalvojnë islamin?

Le të jetë kjo dilemë për një debat publik!(Lajme7)

Leave a Reply