Test shumë i vështirë sonte për Atletico Madridin

Me Real Madridin pas shpine, vetëm tre pikë larg, Atletico është e detyruar të fitojë për të rivendosur distancën e sigurisë në krye dhe për të vijuar e qetë rrugën drejt titullit kampion, megjithatë misioni i mbrëmjes së sotme është vërtetë i vështirë.

Los Colchoneros do të udhëtojnë drejt Andaluzisë për t’u përballur me një nga skuadrat më në formë në kampionat, Sevillan e vendit të katërt, ndaj marrja e tre pikëve nuk do të jetë aspak një mision i lehtë për madrilenët.

Atletico ka dominuar gjatë gjithë sezonit në kampionatin spanjoll, por disa hapa fals në javët e fundit kanë bërë që si Real Madridi ashtu edhe Barcelona të afrohen shumë dhe t’i shtojnë presionin.

Kur kanë mbetur edhe 10 ndeshje deri në fund, pikërisht transferta andaluziane është një nga përballjet më të vështira për skuadrën e Simeones dhe një sukses në Sevilla do t’i afronte edhe më shumë los Colchoneros me titullin kampion.

Nga ana tjetër Sevilla pozicionohet në vendin e katërt të renditjes, me një distancë komode ndaj ndjekësve më të afërt, të cilën do të duhet ta administrojë deri në fund të sezonit, për të siguruar një biletë në zonën Champions.

Leave a Reply