- Letër nga Lezha
Teze Lazri, është një tezgjahiste e regjur në prodhime artizanati në tezgjah. Sot, ajo është një ikonë e Lezhës dhe mbarë Zadrimjes, e cila tashmë në moshën tetëdhjetëvjeçare, po i mbushë 40 vjet që nuk iu shqep tezgjahut. Këtë punë ajo e nisi nga nevoja për t’ia përgatitur pajën vajzës së vet, kurse pastaj e vazhdoi si punë të përditshme për të siguruar kafshatën e gojës.
Tezgjahu është një farë telajo ku piktori, përmes gjuhës së ngjyrave, shpreh një ide mbi një temë, duke synuar të krijojë një kryevepër! Po kështu, imagjinata e bujshme krijuese e nënave, gjysheve, stërgjysheve tona, ka sjellë në etnografinë tonë vepra unikale me elemente jashtëzakonisht të rëndësishme, si materie për antropologjinë kulturore të etnosit tonë. Koloriti dhe imazhet që pasqyrohen nga veprat e punuara në tezgjah, flasin për një përkujdesje epike në ruajtjen e karakteristikave të etnografisë sonë përplot me simbolika tipike të identitetit tonë etno-kulturor.
Sado që kjo vegël artizanale ka shërbyer dhe shërben për ta shprehur imagjinatën dhe kreativitetin krijues kryesisht të nënave shqiptare, megjithatë te gjeneratat e reja nuk ka ngacmuar interesim për ta vazhduar këtë punë artizanale. Produktet e kësaj pune shijohen, vlerësohen, pëlqehen jashtëzakonisht shumë, por vetëm si eksponate dhe jo edhe si diçka tërheqëse për ta punuar. Pra, tezgjahu, kjo “makinë primitive”, ka ngelur në duar të plakave, të Teze Lazrit dhe të pak shoqeve të saj, të cilat e vazhdojnë këtë punë më tepër sa për ta shtyrë ditën se sa për ndonjë përfitim të madh.
Shqiptarët nuk ia dinë dhe nuk ia kuptojnë vlerën! Të huajt vdesin për punimet me tezgjah. Ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, ishte ndër shumë të huaj që kishte vizituar Teze Lazrin dhe që ishte mahnitur me punës e saj, me punimet e saj të jashtëzakonshme, të denja për t’u ekspozuar në cilëndo galeri botërore të artit.
Po si ta shpëtojmë këtë art popullor dhe gratë si Teze Lazri, jo vetëm të sigurojnë bukën e gojës, por edhe të fitojnë e të ndjehen e tamam artiste, t’i kënaqet punës së vet, por edhe t’i joshin të rejat që të merren me këtë punë shumë të leverdishme! Natyrisht, kjo mund të arrihet vetëm përmes një plani nacional, i cili, veç të tjerash, do të parashihte që, të paktën, shkallët e shumë institucioneve tona qendrore e lokale, korridoret, pse jo, edhe zyrat reprezentative, sallat për konferenca e për takime të niveleve të larta ndërshtetërore, pastaj shkallët dhe dyshemetë e muzeumeve, galerive, shkollave të artit etj. të shtrohen me rrugica, me qilima që janë ndër veprat më të rëndësishme të etnologjisë sonë kombëtare. Kjo do të shpëtonte shumë punëtori të këtij lloji nëpër viset tona etnike, por edhe do të tundonte shumë të rinj e të reja për të hapur sa më shumë punëtori që do të kumbonin nga puna ritmike e tezgjahut. T’i markojmë produktet artistike të tezgjahut dhe t’i bëjmë brende, të paktën për tregjet tonë, që na janë mbushur me qilima persikë, të cilat i blejmë me mijëra dollarë! Po sa krenar që ndjehemi kur i shohim nëpër dyshemetë e betonta mozaikët, shenjat dhe simbolet karakteristikë të punimeve të dala nga tezgjahu! Me këtë ndjesi duhet të mësohemi në çdo ent e institucion, zyre ndërmarrrjesh e institucionesh kulturore! Sepse është e jona, është imagjinatë artistike e nënave tona. Kjo zeje artizanati nuk duhet të shuhet, duhet të jetë A-ja e strategjisë nacionale për kulturë, vit pas viti e brez pas brezi! Tezgjahu në fakt është korniza e portretit të gjysheve tona artistike, e punuar me të gjitha fijet e mundshme të vuajtjes, djersës, por dhe krenarisë. Kush nuk “gjunjëzohet” para këtij PORTRETI nuk i kupton vlerat etnologjike të kulturës së vet. Ndër popujt e ndryshëm këto vlera llogariten si bazament i civilizimeve dhe kulturave të tyre. Këto vlera etnologjike ne i kemi kryevepra të padiskutueshme, por problemi është sa dimë t’i vlerësojmë! Ne, fatkeqësisht, si shumë turpërohemi nga “gjërat arkaike”, ndërsa PSE-së nuk i gjejmë përgjigje! Dhe jepemi pas modernes, duke mos kuptuar se gjithçka moderne pa arkaiken brenda vetes, është thjesht një “bukuri pa shpirt”! /HEJZA/