Tifozat Kuqezi nuk do të jenë në shkallët e stadiumit të Prishtinës në ndeshjen mes përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, që luhet këtë të premte.
Ky vendim i grupimit më të madh të tifozëve të Kombëtares, i bërë publik përmes faqes së tyre në Facebook, kuqezi është marrë në vazhdën e qëndrimit të shprehur edhe më herët nga ky grupim për pasjen e vetëm një kombëtarje për shqiptarët.
“Këtë të premte, Kampionet tanë zhvillojnë ndeshjen e parë që pas kualifikimit historik në Kampionatin Europian ‘Francë 2016’, në shtëpinë e tyre të dytë autoktone, në Prishtinë. Ndeshja do të jetë e karakterit festiv, ndaj një grupimi tjetër të futbollistëve shqiptarë. Që nga themelimi, një ndër misionet bazë të Tifozave Kuqezi ka qenë që shqiptarët, edhe pse të ndarë në disa shtete, të kenë vetëm një Kombëtare dhe të përfaqësojnë vetëm një Flamur. Ne vazhdojmë të besojmë në kauzën tonë dhe për këtë arsye të premten nuk do të jemi prezent si grupim në Stadionin e Prishtinës”, thuhet në komunikatën e TKZ.
Megjithatë, grupimi bën thirrje që kjo ndeshje të shfrytëzohet për krijimin e një atmosfere festive në Prishtinë.
“Ne do të jemi prezent në Prishtinë për festën e madhe dhe u bëjmë thirrje te gjithë shqiptarëve në Kosovë, të shfrytëzojnë praninë e Kombëtares në Prishtinë dhe te festojnë në numër sa më të madh. Edhe ne si grupim, do të jemi të pranishëm në Prishtinë dhe do të festojmë gjithë së bashku ketë arritje historike të Kombëtares tonë”, thonë Tifozat Kuqezi.
TKZ mbyll deklaratën duke kërkuar me ngulm pasjen e vetëm një kombëtarje për shqiptarët.
“Sot më shumë se kurrë, janë krijuar kushte që të kemi vetëm një Kombëtare. Ne vazhdojmë të përkrahim ekipet shqiptare të të gjitha trevave që luajnë dhe do të luajnë në arenën ndërkombëtare dhe të mos mbesin të izoluar. Sidoqoftë, në përfaqësimin si Komb, duhet të jemi një dhe vetëm një. Kombëtarja që e kemi tani, është shembulli më i mirë i bashkimit, dhe suksesit”, thuhet në deklaratë.