Përplasjet mes prokurorisë speciale dhe gjykatës penale kanë lënë në gjysmë të rrugës rastin “Titanik”. Edhe gjashtë ditë nga kërkesa, ende asnjë vendim për paraburgimin e ish ministrave Jankullovska dhe Janakievski, sekretarin e përgjithshëm të qeverisë, Bozhinovski dhe pesë persona të tjerë për manipulime zgjedhore. Pikërisht këto obstruksione të punës së ekipit të Katica Janevës, përsëri aktualizuan idenë për formimin e Gjykatës speciale. Sipas profesorit Mersim Maksuti, për formimin e një Gjykate të re nuk ka kohë pasi për këtë nevojiten ndryshime kushtetuese, por ligji për gjykatat parasheh ekzistimin e një njësie speciale në kuadër të Gjykatës.
Një mundësi e këtillë, saktë përkufizohet në ligjin për Gjykata.
Ligji për Gjykatat, neni 23
(3) Në suazat e Gjykatave themelore me kompetencë të zgjeruar në mënyrë obliguese themelohen reparte të specializuara gjyqësore që do të veprojnë për lloje të ndara të kontesteve.
(4) Gjykatat themelore mund të kenë reparte Gjyqësore, të gjykojnë jashtë nga selia e Gjykatës si dhe të kenë ditë për gjykim jashtë selisë së Gjykatës.
Kryetari i Këshillit të Prokurorëve publik në mënyre kategorike është kundër formimit të Gjykatës speciale, ndërsa numri një i Gjykatës penale vlerëson se për këtë duhet të vendosin politikanët.
“Jo, mendoj se nuk ka nevojë se kjo do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e RM-së dhe Ligjin për prokurori speciale”, tha Petar Anevski, kryetarë i Këshillit të prokurorëve publik.
“Nuk jam unë ai që duhet të vendosë për diçka të këtillë. Kemi Kushtetutë, kemi Ligj, nëse vendos dikush le të zgjidhet kjo politikisht, siç u formua PS-ja, ashtu do të formohet edhe Gjykata Speciale”, deklaroi Vladimir Panevski, kryetarë i Gjykatës themelore Shkupi 1.
Prokuroria Speciale dhe Gjykata Speciale nuk janë kategori të panjohura. Institucione të këtilla në Ballkan ka në Kosovë, Kroaci, dhe në Rumani.