Lëvizja e fshehtë nga Bjellorusia e parë si…tradhti duket të jetë arsyeja e vendimit të Armenisë për t’u tërhequr nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), sipas dokumenteve të zbuluara të cituara nga Politico.
Raportohet sipas dokumenteve të siguruara nga Politico se Bjellorusia dërgoi armë të avancuara në Azerbajxhan, i cili është gjithashtu rivali kryesor i Armenisë, pavarësisht se Minsku dhe Jerevani janë aleatë teorikë brenda CSTO-së, e cila drejtohet nga Rusia.
Dosjet e zbuluara hedhin dritë mbi vendimin e Armenisë për t’u tërhequr nga aleanca ushtarake në fjalë, në një kthesë dramatike që pritet t’i japë një goditje ndikimit të Putinit në shtetet ish-sovjetike.
Armenia është tani në prag të një ndryshimi historik dhe të orientohet drejt Perëndimit, duke kërkuar gjithnjë e më shumë mbrojtje nga Evropa dhe NATO-ja, pas dekadash që ish-republika sovjetike u mbështet te Moska.
“Tradhti e madhe”
Armenia deh Azerbajxhani kanë qenë në gjendje lufte prej dekadash në lidhje me Nagorni Karabakh, një udhëkryq strategjik midis Azisë dhe Evropës, ku tensionet shpesh kërcënojnë të marrin përmasa alarmante.
Vendimi i Bjellorusisë – një aleat I Rusisë – për të furnizuar Azerbajxhanin me pajisje të avancuara ushtarake midis 2018 dhe 2022, duke i dhënë avantazh në luftën me Armeninë, u pa më pas nga Jerevani si një “tradhti e madhe”. .
Si Bjellorusia ashtu edhe Armenia janë anëtarë të CSTO, një aleancë ushtarake post-sovjetike e formuar në vitin 2002 dhe e udhëhequr nga Rusia. Në teori, një anëtar i CSTO nuk është i detyruar të mbrojë një tjetër në rast sulmi, megjithatë aleatët nuk duhet që të dëmtojnë njeri-tjetrin.
Të mërkurën, kryeministri armen Nikol Pashinyan njoftoi se qeveria e tij do të nisë procesin e tërheqjes nga blloku, duke pretenduar se anëtarët e saj “nuk po përmbushin detyrimet e tyre të përcaktuara, por po planifikojnë luftë kundër nesh së bashku me Azerbajxhanin”
Nagorno-Karabakh dhe kthesa e Pashinyanit drejt Perëndimit
Vitet e fundit, ka pasur përdorim të gjerë të artilerisë dhe dronëve në luftimet midis forcave azere dhe armene. Këto përfshijnë luftën e vitit 2020 midis dy palëve mbi rajonin e Nagorno-Karabakut, i cili shtrihet brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Azerbajxhanit, por që operoi si një shtet me një popullsi armene pas një beteje të përgjakshme që pasoi rënien e Bashkimit Sovjetik.
Një ofensivë e Azerbajxhanit shtatorin e kaluar i dha fund pavarësisë de fakto të rajonit dhe çoi në eksodin masiv të 100,000 banorëve.
Një nga kontaktet diplomatike të shqyrtuara nga Politico tha se kompanitë bjelloruse kishin një rol aktiv “në rivendosjen e territoreve ‘të çliruara’ të Azerbajxhanit, si dhe në eksportimin e mallrave dhe shërbimeve bjelloruse” në vend.
Forcat azere kanë kryer gjithashtu sulme në territorin armen në shtator 2022, duke kapur pika strategjike. Armenia iu drejtua CSTO-së për mbështetje në atë kohë, por më vonë akuzoi bllokun për refuzim të angazhimeve të tij pasi ofroi vetëm dërgimin e një delegacioni hetues.
Që atëherë, Pashinyan ka arritur një marrëveshje për të zgjeruar një mision monitorues të BE-së në kufirin mes dy ish-republikave sovjetike, ndërsa ftoi edhe trupat amerikane për stërvitje të përbashkëta ushtarake.
“Me miq si Putin, nuk keni nevojë për armiq”
Megjithatë, sipas ekspertëve, Bjellorusia – një nga aleatët më të afërt të Moskës – nuk do të kishte gjasa të vepronte nëse nuk do të kishte mbështetjen e heshtur të vetë Kremlinit. “Kjo vërtet tregon se me miq si Vladimir Putin, askush nuk ka nevojë për armiq,” tha Ivana Stradner, një studiuese në Institutin për Mbrojtje dhe Demokraci.
“Është qesharake të mendosh se këto transferime armësh mund të ndodhin pa e ditur Moska dhe se Rusia nuk mund t’i ndalonte nëse do të donte”, shton ajo. “Nuk ka një gjë të tillë si “besnikëri” kur flasim për Moskën”.
Bjellorusia thirri ambasadorin armen për një takim në ministrinë e jashtme dje, të enjten, pasi Pashinyan kishte shprehur kritikat e tij një ditë më parë. I dërguari u tërhoq më pas në Jerevan, ndërsa ambasadori i Bjellorusisë në Armeni u kthye në Minsk, si pjesë e një procesi për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.