Trump: Covid-19 luftohet me rreze ultraviolet

Mbi 2.7 milionë të prekur. Bie numri i viktimave në Spanjë

Edhe pse në profesion nuk ka lidhje me shëndetësinë, presidenti amerikan Donald Trump ka gjetur disa mënyra të veçanta për kuruar pacientët me koronavirus, të cilët i parashtroi në një konferencë për shtyp.

“Sikur të gjenim një mënyrë për ta futur dritën e diellit brenda trupit, ndoshta përmes lëkurës apo mënyrave të tjera… mendoj që kjo duhet testuar duket interesante. Më pas shoh dizinfektantët që e zhdukin për një minutë. Nuk e di nëse ka ndonjë mënyrë për ta injektuar në trup ose për të bërë një pastrim, sepse po ta fusësh në mushkëri, do të bëjë një punë të jashtëzakonshme. Edhe kjo më duket interesante”.

Deklaratat e shefit të Shtëpisë së Bardhë e vunë në siklet koordinatoren për reagimin ndaj koronavirusit Deborah Briks, e cila ndodhej në sallën e konferencave. Si eksperte e fushës, ajo hezitoi të mbështeste publikisht shefin e saj, duke u shprehur me zë të ulët se të gjitha këto nuk përfshihen në praktikat mjekësore të kurimit. Mjekë dhe ekspertë të tjerë reaguan të tmerruar në media e rrjete sociale, duke kërkuar që nga presidenti Trump të mos merren këshilla mjekësore pasi injektimi i dizinfektantëve në mushkëri apo rrezatimi ultraviolet brenda trupit është i parekomandueshëm.

Megjithatë, hulumtuesit pranë qeverisë amerikane janë shprehur se virusi mbijeton më lehtë në kushtet e shtëpisë në ambiente të thata, ndërsa nuk reziston në temperatura të larta e me lagështirë, çka gjithsesi është ende në studim.

Deklaratat e Trumpit vijnë në ditën më të keqe të pandemisë së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, kur u shënua rekordi i ri ditor prej 3,332 viktimash duke e çuar numrin e të vdekurve në mbi 50 mijë. E kundërta ndodh në Spanjë ku është shënuar rekordi minimal i të vdekurve ditorë 367, shifra më e ulët e më shumë se një muaji.

Shifrat pozitive vijnë teksa ky vend, ashtu si Italia e vende të tjera të Europës po respektojnë masat rigoroze të bllokimit, të cilat presidenti amerikan nuk i ka përzemër, pasi i druhet zhytjes së thellë në recesion të ekonomisë amerikane.

Në gjithë globin numërohen mbi 2.7 milionë të prekur, me një vdekshmëri prej rreth 7%. Deri më tani janë shëruar mbi 27% e të infektuarve që prej fillimit të pandemisë.

Leave a Reply