Si presidenti i zgjedhur Joe Biden ashtu edhe presidenti në largim Donald Trump zhvilluan tubime në Xhorxhia, ku dy gara balotazhi do të përcaktojnë sot nëse republikanët apo demokratët do të kenë kontrollin e Senatit.
Rezultati i garave do të ndikojë në mënyrë dramatike tek funksionimi i legjislativit në gjysmën e parë të mandatit katër-vjeçar të Biden në Shtëpinë e Bardhë. Biden tha se votuesit në Xhorxhia “do të përcaktojnë drejtimin, jo vetëm për katër vitet e ardhshme, por për brezin e ardhshëm”.
“Banorët e Xhorxhias votuan në numra rekord në nëntor duke na dhënë fitoren në këtë shtet. Tani, ne kemi nevojë që të votoni përsëri në numra rekord”.
Trump ndërkohë, ishte në qytetin Dalton, një bazë republikane në veri të xhorxhias në mbështetje të senatorëve republikanë David Perdue dhe Kelly Loeffler.
“Është e pamundur të kemi humbur Xhorxhian. Unë mora pjesë në dy palë zgjedhje dhe i fitova të dyja. Demokratët po përpiqen të grabisin shtëpinë e bardhë. Nuk mund ti lejojmë të grabisin edhe senatin. Demokratët nuk do ta marrin këtë shtëpi të bardhë. Ne do të luftojmë”.
Biden ndërkohë bëri fushatë për dy kandidatët demokratë, Jon Ossoff dhe Raphael Warnock. Sondazhet tregojnë se dy demokratët kanë një epërsi të lehtë në balotazhet që erdhën pasi asnjë nga katër kandidatët nuk fitoi shumicën e nevojshme në votimet e nëntorit. Xhorxhia është një shtet historikisht republikan. Biden ishte kandidati i parë demokrat presidencial që fitoi atje që nga viti 1992. Fitorja e republikanëve në njërën apo të dyja garat e Xhorxhias, do ti jepte atyre shumicën dhe të drejtën për të përcaktuar axhendën e senatit. Nëse fitojnë demokratët, senati do të ishte i ndarë 50-50 duke i dhënë zëvendëspresidentes mundësinë për të thënë fjalën përfundimtare. Në Shtetet e Bashkuara, zvpresidenti i vendit është president i Senatit.