Turqi, vriten 7 xhihadistë të ISIS dhe dy policë

Dy oficerë policie dhe 7 militantë të Shtetit Islamik kanë mbetur të vdekur si pasojë e shkëmbimzjarrit mes tyre, pasi policia turke mësyu rreth një duzinë shtëpish në juglindje të vendit, gjatë orëve të para të mëngjesit të së hënës.

Lajmi bëhet i ditur nga burime të sigurisë dhe zëdhënësi i qeverisë turke, Numan Kurtulmus.

Përplasja ndodhi në periferinë e Kayapinarit, në qytetin Diyarbakir të dominuar nga kurdët. Ky incident shënon edhe të parin rast të konfliktit mes forcave të sigurisë së Turqisë dhe militantëve të dyshuar të Shtetit Islamik brenda kufijve të vendit, pasi përballjet e mëhershme kanë ndodhur gjithnjë nga përtej kufirit Turqi-Siri.

Pesë oficerë policie u plagosën, ndërsa 12 militantë xhihadistë u kapën rob, shtoi më tej zëdhënësi qeveritar Kurtulmus.

“Kemi neutralizuar një qelizë tepër të rëndësishme të Shtetit Islamik, – tha ai për reporterët e pranishëm. – Puna për të identifikuar militantët dhe për të zbuluar lidhjet e tyre me qytete të tjera në Turqi është duke u zhvilluar me intensitet të plotë”.

Njolla gjaku u gjetën në dy apartamente fqinje, të cilat – sipas policisë, – militantët i përdornin për të fshehur armatime. Vrima nga plumbat, por edhe shenja më të mëdha nga eksplozivët gjendeshin kudo në muret përreth, sipas dëshmitarëve që kanë folur për “Reuters”. Ndërkohë që në shtëpitë e bastisura ka pasur edhe rroba dhe këpucë të hedhura kuturu.

Bastisja e këtyre dy apartamenteve ishte pjesë e 17 operacioneve të njëkohshme të nisura kundër grupeve të Shtetit Islamik gjatë së hënës, bëri të ditur përmes një deklarate zyra e guvernatorit të Diyarbakirit.

Leave a Reply