Universiteti i Prishtinës, rektori rikthehet deri në zgjedhjet e parakohshme

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu ka thyer heshtjen 5 ditë pas shkarkimit të tij nga ana e Këshillit Drejtues të UP-së, vendim ky që vetëm një ditë më pas u shfuqizua nga ana e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami.

Vendimi i Zejnullahut erdhi pasi qeveria vendosi, që deri më 15 shkurt të mbahen zgjedhje të parakohshme në të gjitha nivelet e Universitetit të Prishtinës.

“Konsideroj se shpallja e zgjedhjeve të parakohshme është rruga e vetme për të tejkaluar situatën e krijuar. Në një situatë të tillë do të ishte e papërgjegjshme, nga ana ime dhe e ekipit tim, që ta braktisim universitetin, edhe pse jemi të vetëdijshëm për të gjitha pengesat që kemi. Prandaj, kam vendosur të qëndroj në krye të universitetit deri në përfundimin e procesit zgjedhor, në fillim të vitit 2016”, thuhet në deklaratën me shkrim të rektorit Zejnullahu.

Shkarkimin e tij, rektori Zejnullahu e konsideron si veprim të planifikuar me muaj, me qëllim që – siç shkruan ai, – të ndërpritet procesi i vënies së rregullit në universitet.

Anulimi i vendimit për shkarkimin e tij nga ministri i Arsimit, sipas rektorit Zejnullahu është mbështetje për punën e tij. “Kjo mbështetje më nderon dhe më ngarkon me përgjegjësi”, shkruan Zejnullahu.

Ndërsa me aktin e shkarkimit, sipas tij është vënë në pikëpyetje legjitimiteti i të gjitha organeve të universitetit: Këshillit Drejtues, Senatit, rektorit, këshillave të fakulteteve, dekanëve, Parlamentit Studentor dhe mbajtësit e funksioneve të tjera.

Rektori Zejnullahu u shkarkua më 21 tetor nga Këshilli Drejtues i UP-së, me 6 vota pro nga 9 anëtarë gjithsej, sa ka ky këshill. Vendimi u pasua më pas me shkarkimin e kryetarës së këtij këshilli, Shefkije Islamaj, dhe shfuqizimin e vendimit për shkarkimin e rektorit nga ana e ministrit Arsim Bajrami.

Rektorit Zejnullahu u përkrah edhe me anë të një proteste, organizuar nga shoqëria civile në Kosovë.

Leave a Reply