Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi veprimin për të zbutur tensionet sipas të cilit Turqia dhe Greqia anuluan stërvitjet ushtarake në Mesdheun Lindor të planifikuara të mbahen javën e ardhshme.
“Unë mund të konfirmoj se Greqia dhe Turqia kanë vendosur të anulojnë stërvitjet ushtarake të cilat ishin planifikuar për javën e ardhshme në festat e tyre kombëtare”, tha Stoltenberg në një konference për media pas takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s.
“Mirëpres shmangien e konflikteve, mirëpres anulimin e dy stërvitjeve ushtarake, stërvitjeve greke dhe turke, pjesërisht për shkak të rreziqeve të reduktuara për incidente dhe aksidente, por gjithashtu sepse ndihmon për të hapur rrugën për negociata mbi problemin themelor”, u shpreh ai, transmeton Anadolu Agency.
“Unë gjithashtu i mirëpres përpjekjet e Gjermanisë për të lehtësuar dhe për të ndihmuar fillimin e këtyre negociatave dhe shpresoj që bisedimet e tyre eksploruese të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi Stoltenberg.
Pas takimit, ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, tha se anulimi i stërvitjeve ishte bërë sipas propozimit të Turqisë.
Duke treguar se si zhvillimet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë u diskutuan gjithashtu në takim, Akar tha: “Ne patëm mundësinë të shprehim vlerësimet tona mbi atë që duhet bërë për të siguruar paqen dhe stabilitetin”.
“Çështja kryesore për të cilën po flasim është se kushti thelbësor për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Kaukazin e Jugut është që Armenia të tërhiqet nga tokat e Azerbajxhanit që pushtoi dhe të largohej nga atje sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi Akar.
Ai tha se vazhdimisht ka theksuar mbështetjen e Turqisë për Azerbajxhanin, duke shtuar se gjatë takimit u diskutuan gjithashtu edhe zhvillimet në Egje dhe Mesdhe.
Akar gjithashtu tha se Turqia favorizon të drejtën ndërkombëtare, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, dialogun dhe zgjidhjet politike për zgjidhjen e problemeve.
Blerja e sistemit rus S-400 nga ana e Turqisë
Stoltenberg shprehu gjithashtu shqetësim në lidhje me vendimin e Turqisë për të blerë sistemin rus të mbrojtjes raketore S-400.
“Ky është sigurisht një vendim kombëtar, por në të njëjtën kohë ajo që ka rëndësi për NATO-n është që ne të kemi ndërveprim, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen ajrore dhe raketore. Dhe sistemi S-400 nuk mund të integrohet, nuk mund të jetë pjesë e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s”, tha ai.
Turqia vlerëson se S-400 nuk do të integrohej në asnjë sistem të NATO-s dhe nuk do të përbënte ndonjë rrezik për aleancën.