Megjithatë, më shumë se krerët e Aleancës, i shqetësuar është shfaqur Uashingtoni. E ndërkohë, Turqia ka bërë dhe një blerje të F-35 amerikane, ku trajnimi i parë i një piloti turk me këtë lloj avioni të avancuar nisi para pak ditësh.
Politika e jashtme e Turqisë, siç thuhet nga zyrtarë të saj, përcaktohet nga diplomacia shumëdimensionale. Ndaj, për të furnizuar nevojat e saj të mbrojtjes, Turqia merr kontakt me ndonjë partner që e sheh të arsyeshme për të kryer negociata. Ndërsa po ndërton kanale të tilla dialogu, Turqia synon të mbajë marrëdhënie po aq të forta me fuqitë e tjera me të cilat zhvillon lidhjet ushtarake, ekonomike dhe diplomatike. Kështu, vendi mban një ekuilibër që e ndihmon të mos jetë i varur nga një fuqi e vetme. Këtu zë fill dhe dualiteti S-400/F-35.
Në lidhje me këtë, Presidenti Erdogan tha të premten se Turqia ka nevojë për sistemin e mbrojtjes ajrore S-400 të ndërtuar nga Rusia, si dhe avionë luftarakë F-35 të SHBA, duke shtuar se nuk ishte e pranueshme që vendi të pranonte diktate për zgjedhjet e saj.
Në dhjetor, Turqia nënshkroi zyrtarisht një marrëveshje prej 2.5 miliardë dollarësh me Rusinë për S-400 – sistemi më i avancuar i raketave anti-avionë me rreze të gjatë veprimi. Kjo e bën Turqinë vendin e parë anëtar të NATO-s që merr këtë sistem.
Ankaraja pretendon se interesi i Turqisë për sistemin ruse të mbrojtjes filloi për shkak të qëndrimit indiferent të Uashingtonit mbi transferimin e teknologjisë në rastin e një blerjeje të mundshme të raketave amerikane Raytheon Patriot. Zyrtarët turq thanë në korrik se Ankaraja mund të marrë në konsideratë blerjen e raketave Patriot, por nuk do t’i konsiderojë ato si një alternativë ndaj sistemit rus të S-400.
Me S-400, Turqia synon të ndërtojë sistemin e parë të mbrojtjes ajrore, për të rritur aftësitë e saj reaguese mes kërcënimeve nga PKK dhe ISIS dhe konfliktet përgjatë kufijve të saj në Siri dhe Irak.
“Turqia ka nevojë për raketa S-400 dhe marrëveshja është bërë. Ne do t’i sigurojmë ato sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Erdogan në një ceremoni diplomimi oficerësh.
“Turqia gjithashtu ka nevojë për avionë luftarakë F-35. Ne kemi paguar deri tani 900 milion dollarë për këtë blerje amerikane”, shtoi Erdogan, por vuri në dukje se vendi do të siguronte avionë diku tjetër në qoftë se SHBA ndalon dhënien sipas marëveshjes të F-35.
Zyrtarët turq kanë theksuar në mënyrë të përsëritur faktin se lidhjet me vendet e tjera nuk shihen si alternativa ndaj njëri-tjetrit dhe se diplomacia e Turqisë bazohet në përparësi reciproke. Si për lidhjet e saj diplomatike dhe ekonomike, vendi ndjek këtë politikë të balancës në përmbushjen e nevojave të saj të mbrojtjes.
Nga ana tjetër, SHBA ka shprehur shqetësimin se aleati i NATO-s, me marrjen e S-400 mund të rrezikojë sigurinë e disa armëve të prodhuara nga ajo dhe teknologjive të tjera të përdorura nga Turqia, duke përfshirë edhe F-35. Por çështja duket se është më shumë politike sesa teknike.
Erdogan tha se Shtetet e Bashkuara ose dhe disa vende të tjera perëndimore, bllokuan shitjet e armëve me justifikime të çuditshme kur Turqisë i duheshin ato, e ndërkohë nisën të reagojnë kur vendi vendosi t’i blejë këto armë nga vende të tjera.
Në kuadër të këtyre komenteve, Presidenti Erdogan tha gjithashtu se lira turke ishte shënjestruar në një operacion goditjeje financiare, porse sipas tij “Turqia do ta kapërcejë këtë sulm dhe paqëndrueshmëria e monedhës do të kalojë”.
Ai tha se Turqia po merrte masat e nevojshme në përgjigje të rrëshqitjes së lirës dhe po fillonte të shihte rezultate konkrete nga këto hapa. (tesheshi)