U bëmë gaz i botës!

Pas përfundimit të Festivalit të 60-të të RTSH-së, shpërthyen kritikët formalistë dhe, që të gjithë, e nxorën “në pushkatim” këngëtaren Ronela Hajati, e cila me këngën e vet “Sekret” do ta përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision”! E kritikuan për tekstin katastrofal! E kritikuan edhe për muzikën! Nuk e kursyen as për lëvizjet e saj skenike dhe as për stilin e veshjes! U deshtë të mbahet festivali i RTSH-së që të shpërthejnë kritikat kundër Hajatit, ndonëse kënga e saj interpretohet e dëgjohet tash e sa kohë, gjithandej! Çfarë faji ka Ronela Hajati, e cila, e kultivon atë lloj kënge, atë lloj stili, atë lloj teksti! Askujt nuk ia ka vënë thikën në fyt – ose të më emetoni në eter, ose ju thera, ose të më zgjidhni në festival, ose ua preva gabzherrin, ose të më zgjidhni mua si fituese e festivalit ose ju bëra lakra-lakra! Dikush asaj i dha shans, i dha hapësirë, ia dha skenën që të dalë e të konkurrojë që eventualisht të fitojë e të na përfaqësojë në Eurovision!
Ronela Hajati me këngën e vet “Sekret” kaloi nëpër disa “filtra profesionalë”! Mbase ka pasur paraprakisht komision. i cili ka vendosur se cila këngë të marrë pjesë në Festivalin e 60 të RTSH-së, në të cilën, për këto gjashtë dekada kanë marrë pjesë këngëtarë me përmasa legjendare që bartin vulën e këngës argëtuese shqiptare! Pastaj, Ronela Hajati nuk ia mori dhunshëm asnjërit, as pozitën dhe as votën! Pse sulmohet Hajati kurse kursehen anëtarët e jurisë, ekspertët e “muzikës”, poetët, muzikologët, “gazetarët” që përcjellin aktivitetin muzikor?
Ky rast dhe shumë raste të tjera të ngjashme ngacmojnë idenë e themelimit të një prokurorie speciale për kulturë! Kultura jonë po degjeneron nga “kulturologët” e korruptuar! Gati në të gjitha sferat e kulturës kemi llucë që po na e njollosë rëndë identitetin kulturor! Avash-avash kupa po mbushet! Një komision me kompetenca të prokurorisë shtetërore duhet të ekzistojë! Dikush duhet të përgjigjet për veprën penale – degradim të identitetit kulturor; dikush duhet të përgjigjet për subvencionim dhe për përkrahje të “veprave artistike”, të cilat asgjë nuk kanë të bëjnë as me art, as me kulturë, as me vlerë shtetërore e as me pasuri kombëtare! Degradimin kulturor duhet ta trajtojmë si lëvizje, grabitje, fshirje të kufijve shtetëror; devalvimi kulturor duhet të trajtohet si “skenar i shërbimeve të huaja inteligjente”! Korrupsioni (i cili po vlon) në kulturë duhet të llogaritet vepër e rëndë armiqësore, të cilën me kompetencë do të mund ta trajtonte vetëm një prokurori speciale për kulturë! Nëse i hidhet një sy botimeve, spektakleve, festivaleve, aktiviteteve skenike, pamore, filmike, të etnologjisë, koreografisë, “veprave instrumental” – do të gjenden një varg defektesh për të cilat dikush duhet të përgjigjet, kurse heshtja e kritikëve do të duhet të konsiderohet po aq krim sa edhe vetë veprimtaria e matrapazëve, të cilët angazhohen me gjithë shpirt që llumit t’i japin “vlera artistike” kombëtare!
Një institucion kulturor – shtetëror, i llojit të prokurorisë speciale deri më sot do t’i nxirrte para përgjegjësisë të gjithë të korruptuarit që tallen edhe me vlerat e çmueshme kombëtare, duke na e nxjerrë vlerë reprezentative “Sekret”-in e kënduar nga Hajatit! Kapacitetet e një “shkrimtari”, “poeti”, të një “këngëtari”, të një “piktori”, të një “artisti” janë ato që janë dhe, asnjëri nuk do të dëshironte të mos llogaritet vlerë kulturore! Por, duhet të ekzistojë një mekanizëm që do t’i spostojë ata në margjina, duke mos lënë që as në ëndërr t’i afrohen vlerave kombëtare! Botuesit, film-bërësit, muzikantët, komisionet të cilët pranojnë që të korruptohen prej antivlerave, duhet të ndëshkohen me ndalim të rreptë të veprimtarisë së tyre “kulturore”! Ndryshe, u bëmë gaz i botës! Trukimet e pozitave nëpër festivale janë po aq krim sa trukimet në ndeshjet futbllistike! Në futboll “shkojnë” kokat e dallaverxhinjëve, ndërsa në kulturë mund t’ju lejohet hapësirë e veprim dallkaukëve! Ta gozhdojmë të mirën, të bukurën, të mençurën, Ronela Hajatin dhe për këtë krim, fajin ta kërkojmë te kryqi! /HEJZA/

Leave a Reply