U thënçin aktorë!

Midis nesh

Teatri Kombëtar i Shqipërisë, akoma pa objektin e vet reprezentativ! Teatri Kombëtar i Prishtinës këto ditë paralajmëroi se po bën përpjekje për adaptimin e dy skenave (një për shfaqje të “vogla” e një për “të mëdha”), ndërsa Teatrit Shqiptar në Shkup iu deshtë mbi dhjetë vite rinovim të objektit (periudhë kjo e mjaftueshme për ndërtimin e dhjetëra objekteve teatrale të rinj)! Po aktorët shqiptarë? Si ia bënë deri më sot, si po ia bëjnë dhe si do t’ia bëjnë pa skenën e tyre që është i vetmi “baushtell” ku dinë të punojnë!
Edhe Teatri Kombëtar i Shqipërisë si dhe Teatri Kombëtar i Prishtinës, do ta përjetojnë po atë rinovim “shekullor” që e përjetoi Teatri Shqiptar i Maqedonisë së Veriut. Aktorët po mrizojnë! Ata aktorë që gëzojnë titullin e “artistit të popullit” po fishken në pritje të ngjitjes në skenën ku kanë bërë karrierën e vet të shkëlqyeshme! Sot, në të tilla kushte, teatrot tona nacionale nuk do të mund të shfaqin më shumë se dy-tre premiera në vit. Udhëheqja partiake e teatrove do të justifikohen me mungesën e kushteve. Aktorët do të mrizojnë e do të marrin pagë të plotë. Aktorin e mirëfilltë ky “përfitim” e vret, e mbytë, ia ngulfat talentin, gjenialitetin!
U mor vesh, strukturat udhëheqëse partiake të teatrove tona nacionale do të luteshin që kjo situatë të zgjasë sa më shumë, sepse ata janë aty për t’i shijuar të gjitha përfitimet që i “inauguron” posti i drejtorllëkut! Por, nuk kuptohet heshtja e bordeve të këtyre institucioneve! Çka bëjnë bordet e teatrove tona! A kërkojnë raporte, a mblidhen të paktën dy herë në vit! Çka miratojnë dhe çka propozojnë? Cilit program vjetor artistik i kënaqen!
Në Evropë ekzistojnë teatro, të cilat përgjatë një viti shfaqin vetëm të njëjtën shfaqje! Përsëritja e një shfaqje është program i tyre vjetor! Ka edhe teatro të tilla që përgatisin shfaqje sa për ta dëftuar avancimin regjisorial në kultivimin e dramës kombëtare në rrjedhat e teatrit bashkëkohor! Pjesën tjetër të vitit, të repertorit vjetor të teatrit, e mbushin me reprizim (përsëritje) të shfaqjeve të kaluara! Sepse, aktori është në punë, ai duhet ta ruajë ritmin dhe kondicionin e vet artistik! Këtë mund ta bëjë vetëm duke qenë në skenën teatrale! Trupa teatrale e mirëfilltë për më të madhin kiamet nuk do të pranonte që të bëjë jetën e aktorëve tanë teatralë: të përzgjedhurit e regjisorëve të ngjiten në skenë dy-tri herë në vit, ndërsa të tjerët “le të vdesin” në pasivitetin e tyre “shekullor”! Teatrot tona kanë aktorë të cilët me decenie e decenie nuk janë ngjitur në skenë, ndërsa marrin rroga. Teatrot tona më tepër kanë servilë të drejtorëve partiakë se sa që kanë artistë kombëtarë të cilët nuk do të përkuleshin as para tyre, por as para bordeve formalë!
Një aktor që e plakë jetën e vet duke qëndruar më shumë në shtëpi të vet se sa në skenën teatrale, ai ka gabuar profesionin e vet, ai krejt rastësisht është bërë aktor!
Nuk qëndron fakti se tërë ky pasivitet është si pasojë e buxhetit të vogël që ndanë qeveria për teatrot! Aktorët marrin rrogë dhe këtë rrogë nuk e kanë vetëm për premiera, por e kanë për angazhim të tyre të përditshëm: jo ta bjerrin kohën kafeneve e çajtoreve, por të jenë në skenë duke i interpretuar rolet e tyre nga fondi i shfaqjeve të mëhershme.
Aktori duhet të jetë në punë të përditshme si çdo punëtor tjetër prej të cilit kërkohet shtimi i performancës ditore. Aktorët duhet “të jenë” shtresa më e privilegjuar e shoqërisë, por jo edhe shtresa më pasive e cila nga shoqëria paguhet pa kurrfarë merite! Mjeshtëria e aktrimit nuk mund të dëshmohet përmes dy-tre premierave në vit, por përmes zhvillimit të rolit brenda një shfaqje që përjeton dhjetëra e dhjetëra përsëritje brenda një viti. Jemi i vetmi popull në rajon dhe më gjerë që kemi aktorë që më tepër parapëlqejnë “mrizimin” se sa aktrimin, edhe atë vetëm e vetëm që të jenë në korrelacion me subjektet politike që nuk ia kanë haberin kulturës kombëtare! /HEJZA/

Leave a Reply