Janë burimet fantastike të ujërave termale, krejtësisht natyrale dhe të pasura me veti të panumërta shëruese për çdo sëmundje. Një mundësi e artë për turizëm shëndetësor, me një potencial të jashtëzakonshëm kurativ e mbi të gjitha përthithës i turistëve të huaj.
Një term, ende i panjohur për shqiptarët, megjithëse është mënyra më e mirë për të mbajtur trupin e shëndetshëm, për të kuruar njëkohësisht probleme të ndryshme shëndetësore e për të shijuar bukuritë që natyra i ka falur vendit tonë gjithashtu.
Të pasura me sulfat dhe lëndë minerale, ato kanë efekte kurative të reumatizmës, lëkurës dhe sistemit nervor.
Llixhat e Elbasanit, nga periudha romake në ditët e sotme
Llixhat e Elbasanit janë ndër më të njohurat në vend. Kjo pasi, është ndër të vetmet qendra e cila prej dekadash me rradhë ka shfrytëzuar ujërat termale pranë saj ku po zhvillohet në mënyrë të mirëfilltë turizmi shëndetësor. Llixhat e Elbasanit janë burime të njohura dhe të përdorura që nga koha e periudhës romake.
Analizat e ujërave të këtyre burimeve janë kryer në mënyrë të specializuar nga ana e inxhinierëve çekë, të cilët kanë evidentuar vlera të larta terapeutike. Këtu trajtohen sëmundje të shumta të rrugëve të frymëmarrjes, sistemit nervor, të lëkurës, stomakut, etj. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera kozmetike.
Banjat e Hapura të Bënjës së Përmetit
Burimet e ujërave termale të Bënjës, apo sic quhen ndryshe Banjat e Bënjës, gjenden 14 kilometra larg qytetit jugor të Përmetit në komunën Petran, vetëm 3 kilometra larg nga vendi ku lumi Vjosa bashkohet me përroin e Lëngaricës. E veçanta e tyre është se këto janë burime të hapura në natyrë. Temperatura e këtyre ujërave është, 26 32 gradë celius.
Katër burime që përdoren për sëmundjet kronike të reumatizmave (artikulare), një burim për sëmundjet e stomakut dhe një burim për sëmundjet e lëkurës.
Njëri prej burimeve shërben edhe për trajtimin e sëmundjeve të stomakut, ndërsa një tjetër për trajtime të lëkurës. Trajtime të tjera janë për sëmundjet kronike të remautizmës.
Ujërat Termale të Leskovikut
Gjenden 10 kilometra në jug të qytetit të vogël të Leskovikut. Janë burime termale të pasura me kripëra të ndryshme, të cilat trajtojnë disa lloje sëmundjesh.
Temperatura e ujërave është nga 29 40 gradë C. Edhe këtu është ngritur një qendër që ofron akomodimm, asistencë mjekësore si dhe shërbim hotelerie.
Llixhat e Peshkopisë
Këto llixha burojnë nga formacionet e gipseve të malit të Korabit. Janë dy burime sulfurore me temperaturë 35 43,5 gradë celsius dhe me një prurje prej 14 litra për sekondë. Ato kanë përmbajtje kaliumi dhe sulfatesh.
Efektet e tyre janë fantastike lidhen me sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes: si azma bronkiale, bronshite, reamautizmën, diabetin, sëmundjet e lëkurës dhe probleme gjinekologjike.
Burimet Termale të Bilajt
Këto burime gjenden në rrugën nacionale Vorë Fushë Krujë në fshatin Bilaj, pranë urës së Gjolës. Janë burimet më të afërta me Tiranën. Burimet e këtyre ujërave termalë dalin nga depozitimet e luginës së Ishmit.
Këto burime janë të pasura me lëndë minerale si kalçium, kripëra, kalium, hekur, magnez etj. Temperatura e ujërave është 55 gradë celsius. Falë këtyre ujrave mund të kurohen probleme të remautizmës, lëkurës dhe sistemit nervor.