Ulet interesimi për vetregjistrim, për një ditë regjistrohen më pak se një mijë mërgimtarë nga Maqedonia e Veriut

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistika deri tani janë regjistruar 177.875 mërgimtarë që jetojnë përkohësisht jashtë vendit.

Sipas të dhënave të djeshme, për 24 orë janë vetregjistruar vetëm 987 mërgimtarë, që është numër i vogël në krahasim me ditët tjera kur kishte mesatarisht me nga katër mijë të regjistruar në ditë pune, dhe mbi 10 mijë të vetregjistruar në ditë fundjave.

Gjatë ditës së sotme sipas ligjit në fuqi, regjistrimi i popullsisë duhet të ndodhë sot por akoma është e paqartë nëse do të ketë regjistrim të popullsisë, ndërsa ESHS ende nuk komentojnë nëse do të mbahet ose shtyhet regjistrimi.

Përmes aplikacioni regjistrohen shtetasit e Maqedonisë së Veriut të cilët qëndrojnë jashtë vendit, për shkak të punës apo shkaqeve tjera, deri dhe më gjatë se 12 muaj.

Procesi i vetëregjistrimit filloi 1 mars, ndërsa prej 1 marsit deri më 15 mars u regjistruan edhe të punësuarit në përfaqësitë diplomatike-konsullare dhe anëtarët e familjeve të tyre të cilët qëndrojnë me ta jashtë vendit, shtetasit e Maqedonisë së Veriut me punë në Kombet e Bashkuara dhe organizatat e saj, përfaqësitë apo përfaqësues të odave ekonomike jashtë vendit, njësitë afariste jashtë vendit, përfaqësitë ushtarake të Armatës së RMV-së jashtë vendit dhe qytetarët që janë të angazhuar në bazë të bashkëpunimit ndërkombëtar, teknik apo tjetër, si dhe anëtarët e familjeve/amvisërive të tyre që qëndrojnë jashtë vendit me personat e cekur si dhe të gjithë personat – shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët në çfarëdo baze qëndrojnë jashtë shtetit, pa marrë parasysh periudhën e tyre të qëndrimit.

Leave a Reply