Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përjavshme për mediat “Ekonomia në Fokus ka komentuar vizitën e djeshme në Bruksel.
I pyetur nga gazetarët nëse ndjeu përgjegjësi për ultimatumin nga zyrtarët e BE se kandidatët në zgjedhje duhet të jenë me integritet, Rama tha se nuk kishte asnjë lloj ultimatumi, duke shtuar se nga kjo vizitë ka dëgjuar vetëm vlerësime.
“Vetëm faktet nuk janë opinione edhe koncepti i fakteve alternative për të njëjtat fakte është një koncept i cili ka hyrë së fundmi në shoqërinë njerëore, si rezultat i lajmeve të rreme. Në Bruksel nuk kam dëgjuar asnjë ultimatum, kam dëgjuar vlerësime pozitive për Shqipërinë, siç i dëgjuan të gjithë ata shqiptarë dhe shqiptare. Në referencën që ti bëre ka një gabim në objekt, ajo është një referencë e shkruar, e stër diskutuar për një kohë të gjatë, s’kam dëgjuar asnjë ultimatum dhe më vjen mirë që koha tregoi që unë kisha të drejtë për reformën zgjedhore dhe që reforma zgjedhore ka marr vlerësim maksimal, bazuar edhe në opionin e Komisionit të Venecias. Nëse ka pasur në Bruksel diçka që ka kërcitur njësoj siç kërcet një derë e vjetër në sfond kur luhet një koncert në sallë ka qenë ndërhyrja e koleges tuaj, një ndërhyrje e pavend, e padobishme, turpëruese për kategorinë e gazetarëve, për ju dhe për ne.Bazuar në fakte alternative të botës paralele dhe në një kontrast turpërues për mua që isha aty me kolegen tuaj tjetër nga Maqedonia e V. që në atë vend foli për vëndin e vet, nuk i ra vendit të vet me baltë” tha Rama.
Rama u pyet më tej nëse i është tërhequr vëmendja për faktin që do ti japë portin e Durrësit një kompanie nga Emiratet e Bashkuara.
“Po kaq e pavërtetë, sa mungesa e një ultimatumi është ajo që dëgjova tani për portin e Durrësit, as është folur as është diskutuar asnjë fjalë lidhur me këtë temë. Zero! Është vërtetë për të ardhur keq që kjo shpiket këtu në Tiranë ndërkohë që ai investim është për të gjithë, është edhe për të ardhurat tuaja personale, një investim që do të ndikojë ndjeshëm në ekonominë e këtij vendi. Kur bëhemi gati të bëjmë investiem të përmasave të mëdha dhe kanë po atë perspektivë mbi Malin e Zi dhe qytetarët që kanë rrogat më të larta në Rajon sepse i kanë ardhur nga investimet e kësaj natyre, këtu prodhohet baltë dhe shpifet për diçka që është drejtpërdrejtë e lidhur me interesin personal, familjar tuajin dhe atyre që kanë një mikrofon para. Pa folur për mungesën totale të përgjegjësisë atdhetare”, tha kryeministri.
Rama më tej foli edhe për pensionet, ku në formë batute tha se pensionet nuk jepen online,pasi nuk kemi arritur në fazën të gjenerojmë para nga telefoni.
“Për pensionistët s’ka nevojë, pyesni drejtorin e AKSH-it sepse pensionet nuk jepen online, patjetër që ka radhë. Nuk kemi arritur në fazën të gjenerojmë para nga telefoni. Do ta arrijmë edhe atë! Siç pensionet nuk jepen online, siç infermieret nuk bëjnë gjilpëra online, ka një luftë akoma për të bërë, për të luftuar abuzimet në këtë drejtim. Shërbimet që përkthehen në akt lidhen me tjetër gjë dhe jo online”, u shpreh Kryeministri.