Valdeta Dulahi për lirinë, frymëzimin, veprën në proces…

NËSE NUK DO TË ISHTE ARTI?

 

(Enkas për HEJZA-n)

Liria gjendet brenda qenies njerëzore, po kështu edhe frymëzimi. Frymëzimi është revoltë që ngrihet edhe kundër meje, sado që do të doja të shkruaja për një diçka të caktuar, dalin vetëm gjepura, ai vjen atëherë kur ne pësojmë tronditje brenda vetes, atë tronditje që e përshkruan edhe Kafka në letrën dërguar O. Pollakut. Nuk dua të flas për definicionin e zakonshëm të frymëzimit që e dimë të gjithë, por për frymëzimin si liri.
A do ta dinte njeriu lirinë nëse nuk do të ishte arti? A do të shkruante shkrimtari nëse do të kishte kuptim të vërtetë liria përpara syve të tij? Po si do të ishte një shoqëri pa poet? Janë një turrë pyetjesh që përgjigjet e tyre të çojnë te liria. Frymëzimi do të thotë liri, provo e mbaje vargun që të vjen nga brenda e mos e shkruaj në letër, të formon një zgavër, një zbrazëtirë dhe të duket sikur je i zënë rob, sikur nuk je i plotësuar.
Poezia është ajo e cila ma mbushën zbrazëtirën e shpirtit, më jep liri, paqe, është e pandashme prej meje. Nuk besoj se atë zbrazëti të shpirtit mund ta mbushja me diçka tjetër, por ka ca kohë që nëpër duar kam një prozë. Një prozë e cila ma ka gërryer mendjen shumë kohë, shkon prapa në kohë, në Sharr, te Aliu i Gjinit apo te Leka, të cilit i merren tokat, sepse nuk pranon të konvertohet në mysliman. Pra, kuptuat që po shkoj në një epokë që te ne nuk është trazuar kurrë e që më ka bë të lexoj histori, të kuptoja rrethanat historike të asaj kohe.
Me gjithë historitë e vërteta, toponimet, dua të sjell edhe fjalë shqipe të sharrjanëve, që janë pasuri gjuhësore e që mungojnë në fjalorin e shqipes së sotme. Lexuesit do të njihen me sharrjanin e vërtetë, as me atë të krishterin, por as me atë myslimanin, por sharrjanin shqiptar, sharrjanin që kërkon lirinë. Pikërisht, këtë kam si synimi, të shpalos para lexuesve njeriun e lirë, lirinë si qenësore në çdo kohë e në çdo kulturë.

Leave a Reply