70% më infektues, por jo më vdekjeprurës
Parashikohej lehtësimi i masave anti-Covid për festat e fundvitit në Britaninë e Madhe, por kjo nuk do të ndodhë pas zbulimit të një mutacioni të ri të COVID-19ës. Ekspertët thonë se bëhet fjalë për një variant që përhapet 70% më shpejt, por që deri më tani nuk rezulton më vdekjeprurës.
Vatra mendohet të jetë rajoni i Anglisë jug-lindore, por edhe kryeqyteti Londër, ku autoritetet kanë vendosur ashpërsimin e masave për frenimin e përhapjes. Ekspertët e OBSH-së thanë se së fundi janë zbuluar raste të të njëjtit mutacion edhe në Holandë, Danimarkë dhe Australi.
Kryeministri Boris Johnson u kërkoi britanikëve të shmangin sa më shumë daljet nga shtëpitë gjatë festave të fundvitit, për shkak të situatës së re ende të paqartë.
Disa vende të Europës përfshirë Gjermaninë, Belgjikën, Holandën, etj., kanë pezulluar transportin tokësor dhe ajror me Britaninë e Madhe deri në qartësimin e plotë të veçorive të mutacionit të ri.
Kreu i Departamentit të Mjekësisë për rajonin e Anglisë, Kris Uiti tha përmes një deklarate për shtyp të publikuar online nga qeveria britanike se shfaqja e këtij mutacioni i bën gjërat edhe më të vështira.
Por ai shprehu optimizmin se vaksina Pfizer/BioNTech me të cilën po vaksinohen aktualisht shtresat e rrezikuara në Britaninë e Madhe duket se funksionon për parandalimin e infektimit edhe prej këtij mutacioni të COVID-19ës.
Ekspertët janë të shqetësuar sidomos për faktin që qarkullimi i një varianti të koronavirusit me një ritëm më të shpejtë infektimi mund të shtojë ndjeshëm numrin e personave që kanë nevojë për ndihmë të specializuar mjekësore.
Kjo mund të shtojë presionin në spitalet britanike që është ulur edhe për shkak të masave bllokuese. Por mutacioni do të jetë një arsye më shumë për t’i mbajtur ato edhe më gjatë në fuqi për një periudhë edhe më të gjatë, çka do të rëndojë edhe më shumë barrën e dëmit ekonomik prej tyre.
Sipas zyrtarëve të OBSH-së, mutacionet e virusit janë të shpeshta dhe normale, por vështirësia është që të arrihet të kuptohet sa më shpejtë se deri ku arrijnë dëmet që mund të shkaktojnë në organizëm këto mutacione për të shmangur sa më shumë vdekjet.