Vasili: Pas dekriminalizimit, konsensus për reformën në drejtësi

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, në një deklaratë për shtyp të mbajtur pasditen e së premtes ka përshëndetur votimin e projektligjit të dekriminalizimit të politikës dhe administratës publike.

Në fjalën e tij, Vasili ka nënvizuar se, votimi unanim i pr/ligjit tregoi se konsensusi mes palëve është i mundur.

“Kjo është një arritje e madhe ku nuk ka vend për triumfalizëm politik. Ishte dhënë një imazh ireal i një Shqipërie të kriminalizuar, që nuk është e tillë”, ka thënë Vasili.

Ai ka vlerësuar se, ky votim hap rrugën për konsensuse të tjera dhe ai i radhës sipas tij duhet të jetë për reformën në drejtësi.

“Reforma në drejtësi përbën një shqetësim për shqiptarët, pasi kanë krijuar idenë e një drejtësie që nuk funksionon. Ta ndërtojmë pa humbur kohë këtë konsensus të ri, sepse tashmë udha është e shtruar”, ka apeluar Vasili në deklaratën e tij.

Ai ka shprehur bindjen e tij se ligji i miratuar do të japë efektet e pritura, “pasi është i qartë, konsensual e i zbatueshëm dhe i jep zgjidhje problemit”.

Leave a Reply