Hong Kongu është paralizuar të mërkurën. Policia i ka arrestuar disa persona në distriktin e biznesit, pjesa më e madhe e transportit publik është ndërprerë dhe të gjitha universitetet janë mbyllur.
Rreth kohës së drekës, qindra protestues dolën nga vendet e punës dhe i vërshuan rrugët e pjesës qendrore të qytetit për ditën e tretë me radhë. Në rrugët që zakonisht janë të ngarkuara me vetura kishte vetëm tulla të shpërndara. Disa protestues mbanin në duar parulla ku shkruhej: “Mos i qëlloni të rinjtë tanë”.
Procesi mësimor në shkolla dhe universitete u ndërpre, ndërsa disa protestues i morën nga qendra sportive e një shkolle disa shtiza. Ata gjithashtu i penguan udhëtarët dhe i detyruan trenat që ta ndalin qarkullimin.
Policia i largoi disa barrikada, por protestuesit i kthyen ato menjëherë në vendin e mëparshëm pas largimit të policisë. Autoritetet i këshilluan shkollat që t’i lëshojnë fëmijët nga mësimi në orët e paradites për shkak të trazirave.
Qyteti i kontrolluar nga Kina po përballet me dhunën që nisi para gjashtë muajve, e nxitur nga një projektligj kundërthënës për ekstradimin e qytetarëve në Kinë. Megjithatë, protestuesit i shtuan kërkesat me kalimin e kohës, ndërsa kryetarja e qytetit ka refuzuar të japë dorëheqje, shkruan “The Guardian”.