Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në një konferencë për media, ka njoftuar se të enjten ka pasur takime me deputetët e Kuvendit të Kosovës për të diskutuar çështjen e mandatit të Gjykatës Speciale dhe për ta dërguar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-së, Faton Klinaku, tha se Gjykata Speciale, po vepron pa mandat dhe kundërligjshëm.
Ai tha, po ashtu, se kryesia ka vendosur të mbajë protestë pas ngritjes së disa aktakuzave kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
“Kryesia mendon dhe vendosi të organizohet protestë, gjë që për datën dhe orën, ne do t’ju informojmë me kohë, por ne nesër (06 nëntor) e kemi edhe mbledhjen e Këshillit drejtues që ka 61 anëtarë dhe në të cilin këshill përfaqësohen të gjithë kryetarët e degëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, pra edhe nesër e diskutojmë çështjen e protestës”, tha Klinaku.
Klinaku, më herët gjatë ditës, të enjten, duke folur për konfirmimin e aktakuzës ndaj presidentit tashmë të dorëhequr të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se këto ngjarje kanë qenë të papritura.
Nga Dhomat e Specializuara në Hagë (apo siç njihen në Kosovë: Gjykata Speciale) deri më tani janë konfirmuar aktakuzat për pesë persona, e për të cilat është njoftuar publiku – kundër ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, kundër kreut të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe kundër Hashim Thaçit, i cili pas konfirmimit të aktakuzës dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës./REL/