Zgjedhjet në SHBA | Kur do të kemi një rezultat?

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u zhvilluan të martën, por të gjithë janë ende të pritje që një prej kandidatëve të arrijë numrin “magjik” të 270 votave të Kolegjit Elektoral. Deri më tani, Joe Biden është ai që vijon të ketë avantazhin me 264 vota, kundrejt 214 që ka Trump, ndërkohë që numërimi vijon.

Në Georgia, dy kandidatët janë “kokë më kokë”, me Donald Trump që kryeson me rreth 600 vota. Autoritetet atje theksuan se do të vijojnë numërimin dhe shpresojnë se do të kenë një rezultat të premten.

Biden kryeson me më shumë se 11 mijë vota në Nevada, ndërkohë që janë numëruar 89 përqind e votave.

Kryesimi i Trump në Pennsylvania ka rënë në më pak se 20 mijë vota. Votat për t’u numëruar janë ende me mijëra.

Por Trump i është afruar shumë kandidatit demokrat në Arizona. Biden kryeson me vetëm 7 mijë vota në shtetit jugperëndimor.

Numërimi vijon ende në Alaska dhe North Carolina dhe Trump kryeson në të dy këto shtete. Por pa fitore në disa prej këtyre 4 shteteve ku diferenca është e ngushtë, Trump nuk ka shanse për t’u rizgjedhur President. Biden ka shumë mundësi për të siguruar fitoren.

Trump: E fitoj lehtë garën po të numërohen votat e ligjshme

Donald Trump vijon të akuzojë se votat që po numërohen në disa shtete kyçe janë të paligjshme. Përmes një postimi në Twitter, edhe pse pa përmendur asnjë fakt, Presidenti amerikan thotë se e fiton lehtë garën nëse numërohen vetëm votat e ligjshme.

“E fitoj lehtë Presidencën e Shteteve të Bashkuara me votat e ligjshme. Vëzhguesit nuk u lejuan në asnjë mënyrë apo formë për të bërë punën e tyre dhe në këtë mënyrë, votat e pranuara gjatë kësaj periudhe duhet të përcaktohen si vota të paligjshme. Gjykata Supreme duhet që të vendosë”, shkruan Trump.

Ky postim është shënuar nga Twitter me një paralajmërim se mund të informacion të pavërtetë për zgjedhjet.

Mediat shkruajnë se nuk ka asnjë provë që të mbështesë pretendimet e Presidentit Trump. Vonesat në numërimin e votave me postë janë një procedurë standarde. Në disa shtete, duke përfshirë edhe Pennsylvania-n, nuk lejohet që të nisin numërimin e votave me postë deri në ditën e zgjedhjeve.

Edhe gjatë fushatës, Trump i ka quajturr mashtrim votimet me postë, ndërsa demokratët e kanë inkurajuar këtë gjë. Biden ka kërkuar që mbështetësit e tij të votojnë ashtu duke pasur parasysh edhe situatën e pandemisë. Këtë viti me postë votuan një numër rekord qytetarësh amerikanë.

A kanë të dy shanse për të fituar? Po. Ja sesi

Si Donald Trump dhe Joe Biden kanë ende shanse për të fituar, ndonëse nga si qëndrojnë gjërat deri më tani, Biden e ka rrugën më të thjeshtë drejt fitores.

Zgjedhjet Presidenciale në SHBA vendosen nga Kolegji Elektoral. Votuesit në çdo shtet votojnë të zgjedhurit, të cilët disa javë pas votimeve mblidhen për të vendosur fituesin.

Çdo i zgjedhur është i barabartë me një votë elektorale dhe numri i votave elektorale për shtet është në proporcion të drejtë me popullsinë e tij, kështu që shtete më të mëdha si Texas (38) dhe California (55) kanë më shumë, ndërsa shtete të vogla si Delaware (3) dhe Idaho (4) kanë më pak. Në total janë 538 vota elektorale dhe kandidatëve u duhen më shumë se gjysma për të fituar.

Me 264 vota të fituara, Biden i duhen vetëm 6 për të kaluar pragun dhe për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Kandidati demokrat mjafton të marrë kryesimin në Pennsylvania (20) dhe është Presidenti i ardhshëm i SHBA-ve. Nëse kjo ndodh, do të shohim një Trump, i cili siç ka paralajmëruar, do të ndërmarrë veprime ligjore.

Por mjafton që Biden të mbajë kryesimin në Nevada (6) apo Arizona (11), ndonëse në këtë shtet diferenca është e ngushtë dhe sërish e ka siguruar fitoren.

Donald Trump ka një rrugë shumë më të vështirë drejt fitores. Për të siguruar rizgjedhjen në krye të Shtëpisë së Bardhë duhet të marrë Pennsylvania, ashtu sikurse tre shtetet e tjera ku numërimi vijon, Arizona, Nevada, Georgia dhe North Carolina. Alaska, që gjithashtu nuk e ka përfunduar numërimin, mund të luajë rrol në fitoren e Trump./tv.klan.al/

Leave a Reply