“Vetting-u në pikëpyetje”/ Ish-ministri: Roli i ONM-së i kufizuar, nuk njohin Shqipërinë

Roli i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që do vëzhgojë organet e Vetting-ut do të kushtëzohet nga fakti se anëtarët e kësaj trupe nuk njohin realitetin shqiptar.

Në një analizë të procesit të Vetting-ut, ish- ministri i Drejtësisë Shefqet Muçi thotë se këta juristë do të kushtëzohen nga materialet e përkthyera që do t’u vihen në dispozicion dhe se kontakti i drejtpërdrejtë me sistemin do të jetë mjaft i kufizuar për ta.

“Tani unë po them një mendim që ndoshta do ma kundërshtojnë shumë persona, por unë kam më shumë besim te shqiptarët se sa tek të huajt. Jo se të huajt nuk janë më të aftë se ne, por nuk e njohin situatën në Shqipëri.

Në fund të fundit ata nuk dinë shqip, dhe ata që ua rekomandojnë problemet janë shqiptarët, kështu ndërkombëtarët do i marrin të përkthyera. Sa do që të verifikojnë, në fund të fundit ata që dominojnë janë shqiptarët. Rolin deciziv e ka i zoti i shtëpisë, nuk e ka i huaji. Të huajt monitorojnë, japin mendimet e tyre dhe organet vendimmarrëse të jenë organet shqiptare. Në fund të fundit ne nuk kemi shtet vasal, jemi shtet sovran”, shprehet ish- ministri.

Muçi thotë se procesi nuk ka arritur të plotësohet në asnjë prej komponentëve të tij: legjislacioni, kostot financiare dhe kapacitetin profesional të personave që do rivlerësojnë gjyqtarët e prokurorët./scan

Leave a Reply