Vakëfin, takimet private dhe aspak të rëndësishme për BFI-në dhe myslimanët e vendit si dhe “kontributin në luftimin e Coronavirusit – janë tri fjalë të një refreni të “këngës” së Shaqir Fetait, e cila, jo vetëm që është bërë e besdishme por edhe kur të “këndohet” del si krrokamë mortore e sorrës mbi hurin e gardhit
Nga Mr. Eset Shaqiri
Shaqir Fetai që nga viti i kaluar nuk u ndal së lavdëruari se “ky vit është vit i vakëfit”! I cilit vakëf? I atij të kthyer pas një procesi të gjatë të denacionalizimit? Angazhim mbi dy dekada të strukturave të BFI-së, procese gjyqësore, pagesa të majme për kompletim të dokumenteve, pagesa të majme për ekspertët në hartëzimin e vakëfit dhe në kompletimin e dokumentave dhe, më në fund, vijnë frutet e këtij angazhimi dekadësh, frute këto që po ia “mpijnë dhëmbët” Shaqir Fetait!
Shaqir Fetai, në disa paraqitje të tij publike ka falënderuar publikisht pushtetin e ish-kryeministrit Zoran Zajev, i cili tri-katër muaj me radhë i ka ndarë BFI-së para nga buxheti shtetëror i krijuar enkas për tejkalimin e problemeve financiare si pasojë e pandemisë nga Coronavirusi. Në fund, me gjasë, ata struktura qeveritare që e instaluan në krye të BFI-së e panë më të arsyeshme që ta “mbushin” me bona në vlerë, sepse, njeriun që e ngarkuan padrejtësisht me një punë që nuk e meriton edhe duhet ta mbajnë disi, që të dalë sa më “faqebardhë”! Aq dinë ata, sepse bonot në vlerë nuk janë “kontribut financiar” për ta shpenzuar Shaqir Fetai me bashkëveprimtarët e vet. Një ditë urdhërdhënësit e shpenzimit të ketyre letrave në vlerë do të përgjigjen për çdo vakëf të shpenzuar e për çdo cent të vakëfit të shitur!
Dhe, Shaqir Fetai mburret me “suksesin e vet” të clin e quan “vit i kthimit të vakëfit”, të cilin ia përshkruan vetes si aktivitet!
Vakëfi po vidhet
Nejse, le të jetë edhe “sukses” i tij, për BFI-në jetike është kthimi i vakëfit! Por, çfarë po ndodhë me këtë vakëf që po konvertohet në bono me vlerë? A po zë vend vakëfi i ri, a po vjen në shprehje filozofia “vakëf për vakëf”, apo, të gjitha bonot po shpenzohen për rroga, për mirëqenie të nëpunësve të Shaqir Fetait, me të cilën ai po e blenë rehatinë e vet! Shpenzohet vakëfi që të zgjasë “karriera” e Shaqir Fetait?
A e ka lexuar Shaqir Fetai rregulloren e BFI-së për sa i përket vakëfit dhe menaxhimit me vakëfin? A e di Shaqir Fetai se sa para nga vakëfi i denacionalizuar në bono shkojnë në Myftininë e Shkupit dhe sa i merr “rijaseti” i tij! Vakëfi nuk mund të jetë në pazar për të përfituar Shaqir Fetai dhe bashkëveprimtari i tij, myftiu i Shkupit (së cilës Myftini i janë kthyer më së shumti vakëf-letra me vlerë), Qenan Ismaili, por, të ardhurat që gjenerohen nga menaxhimi i vakëfit mund të ndahen sipas regullores së miratuar nga ish-Rijaseti! Assesi nuk guxon që të kompremetohen letrat në vlerë që jepen në vend të vakëfit! Ato letra në vlerë duhet të shpenzohen ekskluzivisht dhe tërësisht në blerje të vakëfit të ri, sepse, kjo Myftini duhet të funksionojë nga vakëfi dhe jo nga rjepja e myslimanëve (anëtarësia e myslimanëve të vendit është më e larta në rajon)!
Shaqir Fetai, në vend se “ta vizitojë” Myftininë e Shkupit dhe t’ju ndajë vërtetime anëtarëve të rinj të Myftinisë (!!!), ai duhet të kërkojë llogari nga Myftinia se çka po bëhet me paratë që erdhën si proces i denacionalizimit të vakëfit të Shkupit. Shaqir Fetai tashmë ka dëshmuar se as “tërrt” veshi nuk i bën për sa i përket vakëfit, sepse në Myftininë e tij derisa ishte myfti i Gostivarit, e largoi investimin kapital miliona dollarë nga Banka Islamike për Zhvillim, nga i cili do të dilte një vakëf më i madhi në vend që do të ishte pasuri e kësaj Myftinie.
Vakëfini nuk është aksion fetar për grumbullimin e financave nga myslimanët e vendit të cilat do të ndaheshin sipas një rregulloreje përkatëse! Paratë e shitjes së një vakëfi, automoatikisht duhet të shpenzohen në blerje të një vakëfi tjetër dhe jo në ndarje proporcionalisht sipas marrëvesjes në mes të Myftinisë dhe Rijasetit. Vakëfi i tjetërsuar siguron vakëf tjetër. Dhurimi i një vakëfi për të mirën e përgjithshme siguron një vakëf edhe më të leverdishëm. Vetëm Shaqir Fetai dhe honxho-bonxhot e tij e ndajnë vakëfin “e shitur”! Kompensimi i vakëfit me bono në letër dhe shpenzimi i këtyre bonove, kompensimit i jep karakter shitjeje!
Vizitat private dhe ato to parëndësishmet
Për Shaqir Fetain opinioni i gjërë është i bindur se është i vetmi “personalitet” që i kurdisë vizitat, që fton njerëz për vizita dhe që i lutë njerëzit për t’i vizituar! Pa kurrfarë plani, pa kurrfarë protokoli, pa kurrfarë levërdie! Thjesht, vetëm e vetëm që të mbetet disi “aktual” në fb-un e vet si dhe ta keqpërdorë faqen zyrtare të BFI-së duke i postuar përshtypjet e vizitave të veta private.
Për t’ju dhënë peshë edhe më të madhe, ai ndanë edhe “dekoracione”, “Kuranin e artë”, “Llogon e BFI-së”! U ka ndarë “macasi-kucasi”! Të gjitha këto “dekoracione” natyrisht që janë të kushtueshme dhe, sipas një përllogaritje të thjeshtë, Shaqir Fetai deri më sot ka ndarë “dhurata” të tilla në vlerë sa një rrogë vjetore e një nëpunësi të tij! Ku pyet Shaqir Fetai për nëpunësin e vet kur është në pytje “reklamimi” i “ekselencës” së vet! Të tjerët nuk i interesojnë, prandaj, shumë shpejt do të turpërohen nga çastet nga koha e shtrenjtë e tyre që i kanë ndarë me Shaqir Fetain!
Çfarë është me rëndësi takimi i Shaqir Fetait me miqtë e tij që të publikohen në faqen zyrtare në BFI? Çka është me rëndësi për BFI-në takimi i tij me ambasadorët partiakë (jo me ata të karrierës, sepse ata as që i japin shans për një takim të tillë)! A janë normale “raportimet” në faqen zyrtare mbi faljen e namazit të xhumasë, mbi faljen e xhenazeve, mbi kryerjen e umres…
Historiku i BFI-së nuk njeh të jetë drejtuar nga njeri me një popullaritet kaq të ulët, me një imazh kaq të pështirosur, me një servilosje të paparë!
Shaqir Fetai në roloin “insitucionit” të OBSH-së
Njeriu i cili e kaloi koronavirusin, njeriu të cilit bashkëpunëtori i vdiq nga koronavirusi, njeriu i cili gjysmën e “kabinetit” të tij e paska pasur të sëmurë nga kjo pandemi, paska ndikuar jashtëzakonisht shumë në parandalimin e përhapjes së koronavirusit, “duke i respektuar të gjithë këshillat dhe duke vepruar konform rregullave të Organizatës Botërorë të Shëndetësisë” që i paskan ardhur atij! Flet për një respektim të masave ndërsa kurrë nuk ka zbritur nëpër xhamitë tona për të shikuar se çfarë kaosi bëhet për ditët e xhuma! Flet për mbajtje të maskave ndërsa poston fotografi nga “takimet vëllazërore” ku 30-40 veta janë në sallë, të ngjeshur njëri për tjetrin dhe pa maska! Së këndejmi, me çfarë arsye vetëlavdërohet (apo si është e mundur të nxjerrë kaq shumë gënjeshtra), me çfarë logjike mburret kur këtë nuk e bëjnë madje as vetë institucionet shtetërore që e kanë brengë të madhe pandeminë, madje as vetë OSHB-ja që nxjerr rregullore dhe vendime në raport me pandeminë nuk është lavdëruar kurrë. Me gjasë nuk po i lë rend Shaqir Fetai.
Falë Zotit, është një fatbardhësi për vetë myslimanët e vendit që, askush nga faktorët me relevancë nuk po e marrin si “lider serioz” e as si njeri me të cilin ia vlenë bashkëpunimi i gjithanshëm. Shyqyr Zotit që, madje, as vetë myslimanët e vendit nuk e llogarisin ndonjë personalitet të vetin, as kombëtar dhe as fetar, ndaj dhe, falë kësaj, myslimanët e vendit nuk kanë kurrfarë përgjegjësie, kurrfarë hipoteke, kurrfarë faji dhe as mëkati. Sepse, ata as nuk e kanë zgjedhur, as nuk e kanë votuar dhe as që e llogarisin për të vetin!
Sepse, të gjithë e dinë se, Shaqir Fetai, nuk e ka për islam por e ka për pension, prandaj e shtynë disi, duke e hëngër vakëfin, duke e shpenzuar vakëfin vetëm e vetëm që t’i zgjatet qëndrimi në “kolltuk” deri sa të vie momenti i pensionimit. Kolltuku ku është instaluar natyrisht që i garanton një pension më të madh, ndaj dhe nuk çanë kokë për asgjë! Zoi është i Madh, Ai sheh gjithçka, është i Gjithëdishëm!