Pas njohjes, Rusia nis trupat në dy rajonet separatiste: Po tani?

Rusia deklaron se trupat do të jenë “paqeruajtëse” në këto dy rajone të shkëputura, që i ka mbështetur që prej vitit 2014. Por SHBA tha se t’i quash këto trupa “paqeruajtëse” është “pa sens” dhe e akuzoi Rusinë se po krijon pretekst për luftë.

Presidenti i Ukrainës tha se vendi i tij nuk ishte i frikësuar nga askush dhe asgjë. Në një deklaratë drejtuar kombit të tij gjatë orëve të vona të së hënës, Presidenti Volodymyr Zelensky u bëri thirrje për aleatëve ndërkombëtar për “veprime mbështetëse, të qarta dhe efektive”.

Është shumë e rëndësishme të shohim në këtë moment kush janë miqtë dhe partnerët tanë të vërtetë dhe kush do të vijojë të frikësojë Federatën Ruse vetëm me fjalë”, shtoi ai.

Shumë shtete, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, po konsiderojnë që të vendosin sanksione të reja kundër Rusisë, në kundërpërgjigje të lëvizjes së saj.

Frika për një pushtim ka ardhur gjithnjë e në rritje përgjatë muajve të fundit, pasi Rusia ka vendosur rreth 150,000 trupa në kufi me Ukrainën.

Në një takim urgjent të Këshillit të Sigurisë në OKB, ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield hodhi poshtë pretendimet e Rusisë së trupat do të kenë një rol paqeruajtës duke thënë: “Ne e dimë se çfarë janë në të vërtetë”.

Sipas saj, njohja e Luhansk dhe Donetsk ishte pjesë e skenarit të Rusisë për të krijuar një arsye për pushtimin e Ukrainës.

Përgjatë 8 viteve të fundit, Rusia ka mbështetur një rebelim të përgjakshëm në Lindje të Ukrainës. Që prej asaj kohe, përllogaritet se kanë humbur jetën rreth 14 mijë persona në luftime, mes tyre shumë civilë.

Po ashtu, vitet e fundit, një numër i madh personash në Luhansk dhe Donetsk janë pajisur me pasaporta ruse.

Ndërsa që prej fundit të javës së shkuar, në zonat e mbajtura nga separatistët janë evakuuar gratë, fëmijët dhe të moshuarit, të cilët janë dërguar në Rusi.

Në deklaratën që zgjati rreth një orë të hënën, Putin tha se Ukraina ishte një pjesë integrale e historisë së shtetit të tij dhe e përshkruajti lindjen e Ukrainës si “tokë të lashtë ruse”.

Fuqitë perëndimore janë rreshtuar krah Ukrainës, duke premtuar sanksione të ashpra kundër Rusisë nëse e pushton, ndonëse nuk është ende e qartë sa efektiv do të jetë ky veprim.

Tanket ruse hyjnë në lindje të Ukrainës, festojnë banorët e Donjeckut. Qytetarët e Kievit: Tradhtarë!

Tanket dhe makineritë e rënda ushtarake nga Rusia kapërcyen gjatë natës kufirin drejt lindjes së Ukrainës, pak minuta pasi shefi i Kremlinit njohu mbrëmjen e së Hënës, pavarësinë e rajoneve separatiste të Luhanskut e Donjeckut.

Dëshmitarët që xhiruan këto pamje thanë për agjencinë e lajmeve Reuters se makineritë ushtarake ruse u panë të lëviznin në rrugët drejt Donjeckut. Por ato lëviznin pa simbole shtetërore.

Siç tha vetë Vladimir Putin, pasi nënshkroi edhe traktatin e miqësisë me dy republikat e vetëshpallura në lindje të Ukrainës, Rusia do të dërgojë atje trupa me mision paqeruajtës. Vendimi u prit me festime në Donjeckun ku banojnë rreth 900 mijë banorë. Pamjet tregojnë dhjetëra qytetarët që dolën nëpër sheshe për të festuar me fishekzjarre e flamuj të Rusisë.

Në Kiev, qytetarët e quajnë të pakuptimtë vendimin e Putinit.

“Kjo nuk duhej të ndodhte. Ky është vendi ynë, jo i tyre. Shumica e qytetarëve mendojnë që i gjithë territori është i Ukrainës”.

“Ata tradhtuan vendin tonë. Por nuk mendoj se edhe Kievi do të sulmohet. Kemi ushtri dhe mbrojtje të fortë”.

Lëvizja e Moskës erdhi pas rikthimit të luftimeve të ditëve të fundit në mes separatistëve pro-rusë dhe ushtrisë ukrainase. Kievi akuzon separatistët për shkelje të marrëveshjes së Miskut, që qetësoi për pak vite tensionet e shpërthyera në 2014-ën pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Takim urgjent i Ministrave të Jashtëm të BE dhe Këshillit të Sigurimit

Në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Ambasadori i Ukrainës në OKB dënoi vendimin e Rusisë për të njohur rajonet pro-Moskës të Ukrainës, si të paligjshme. Edhe Ministrat e Jashtëm evropianë u mblodhën në një takim urgjent për të vendosur mbi sanksionet ndaj Rusisë.

“Trupat e Rusisë kanë hyrë tashmë në Donbas. Ne e konsiderojmë Dombasin pjesë të Ukrainës dhe në këtë situatë të re sigurisht që Bashkimi Evropian do të vendosë sot se çfarë sanksionesh do të vendosë ndaj Rusisë. Njohja nga Rusia e dy formacioneve të paligjshme në territorin e rajoneve të Donetsk dhe Luhansk është një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar, integritetit territorial të Ukrainës dhe marrëveshjeve të Minskut. BE dhe partnerët e saj do të reagojnë me unitet, vendosmëri në solidaritet me Ukrainën”, thaPërfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell.

Presidenti i SHBA Joe Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv që ndalon investimet e reja, tregtinë dhe financimin nga personat amerikanë për, nga dhe në “rajonet e ashtuquajtura Republika Popullore e Donetsk ose Republika Popullore e Luhanskut”.

Urdhri gjithashtu do të lejojë SHBA-në të vendosë sanksione ndaj kujtdo që vepron në ato zona.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar nga homologët në Bashkimin Evropian miratimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe kryeministri britanik Boris Johnson tha se Mbretëria e Bashkuar do të shpallë sanksione të reja ndaj Rusisë.

Zelensky: Nuk heqim dorë nga asnjë pëllëmbë toke!

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë se po shkatërron çdo përpjekje për të bërë paqe dhe nënvizoi se vendi i tij nuk do të bëjë asnjë lëshimi territorial.

Ne jemi të përkushtuar për gjetjen e një zgjidhje paqësore dhe diplomatike. Dhe ne do ta ndjekim këtë si të vetmen mënyrë. Por ne jemi në tokën tonë, nuk kemi frikë nga asgjë dhe askush, nuk i detyrohemi askujt dhe nuk do t’i japim asgjë askujt. Jemi të sigurt për këtë. Sepse nuk është shkurti i vitit 2014, por shkurti i vitit 2022. Është një vend ndryshe, me një ushtri më të mirë. Por me të njëjtin qëllim, paqja në Ukrainë”.

Këto deklarata të presidentit ukrainas vijnë pas vendimit të presidentit Vladimir Putin për të njohur zyrtarisht dy rajone separatiste pro-ruse në Ukrainën Lindore, si të pavarura. Kjo thellon akoma më shumë krizën mes dy palëve dhe frika e Perëndimit për një luftë të madhe ka të ngjarë të bëhet realitet.

Pasi mblodhi Këshillin e Sigurisë, Zelensky akuzoi Rusinë për shkeljen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës dhe shtoi se kjo mund të nënkuptojë tërheqjen e Moskës nga bisedimet e paqes në Minsk që synojnë t’i japin fund konfliktit separatist.

Më tej, Zelensky tha se aleatët duhet të veprojnë dhe se ky është momenti për të parë se kush janë miqtë dhe partnerët e vendit e tij dhe kush ka vetëm fjalë.

Ndërkohë, njohjen si të pavarura nga Rusia të rajoneve separatiste të Luhanskut dhe Donbasit, Britania e Madhe e cilësoi si nisjen e pushtimit të Ukrainës.

Britania paketë me sanksione për Rusinë dhe një paralajmërim!

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë se shteti i tij do të shënjestrojë menjëherë interesat biznesore ruse me sanksione të ashpra dhe ka paralajmëruar presidentin rus, Vladimir Putin kundër veprimeve tjera ushtarake kundër Ukrainës.

“Ne do të organizojmë menjëherë një paketë me sanksione ekonomike”, u ka thënë Johnson gazetarëve më 22 shkurt, pas mbajtjes së takimit me Komitetin e Sigurisë Kombëtare.

“Kjo është, duhet ta theksoj, vetëm paketa e para me sanksione ekonomike britanike kundër Rusisë, sepse ne presim që të ketë më shumë veprime joracionale ruse”.

Ai ka thënë se sanksionet “do të shënjestrojnë jo vetëm subjekte në Donbas, Luhansk dhe Donetsk, por edhe në vetë Rusinë – duke prekur interesat ekonomike ruse sa më ashpër që mundemi”.

Johnson ka thënë se do të specifikojë sanksionet më vonë gjatë ditës së martë para Parlamentit britanik.

Johnson ka thënë se Putin do ta kuptojë se ka bërë kalkulime të gabuara në rast se pushton Ukrainën dhe ka shtuar se Moska duket e vendosur për pushtim të plotë të vendit fqinj.

“Mendoj se tragjedia e kësaj situate është se presidenti Putin ka mbledhur afër vetes këshilltarë me mendësi të njëjtë që i thonë atij se Ukraina nuk është shtet i përshtatshëm”, ka thënë Johnson.

Britania, sidomos Londra, kanë qenë qendra favorite për rusët e pasur që të blejnë prona dhe të bëjnë biznese të ndryshme prej shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik.

Britania ka kërcënuar se mund t’ua ndalojë kompanive ruse qasjen në dollarë amerikanë dhe funta britanike, duke ua bllokuar rritjen e kapitalit në tregjet e Londrës.

Më 21 shkurt presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se ai do të njohë kërkesën e liderëve separatistë për pavarësim të të dyja rajoneve që ata kontrollojnë në Ukrainë.

Ai po ashtu ka thënë se do të dërgojë trupa ruse për të shërbyer si, siç i ka quajtur ai “paqeruajtës” – deklaratë të cilën Perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar “pakuptim”.

Gjermania ngrin projektin masiv të gazsjellësit rus

Ashtu siç pritej, shtetet perëndimore po i kundërpërgjigjen Rusisë, pas vendimit të kësaj të fundit për të njohur dy rajonet separatiste në Ukrainë dhe dërgimin e trupave atje. Kancelari gjerman Olaf Scholz ngriu projektin masiv të gazsjellësit rus, të njohur si Nord Stream 2.

“Certifikimi i tij nuk mund vijojë duke marrë parasysh veprimet e fundit të Rusisë”, deklaroi Scholz.

Gazsjellësi mes Rusisë dhe Gjermanisë përfundoi Shtatorin e shkuar, por nuk është vënë ende në punë. Tubacioni Nord Stream 2 mund të transportojë gaz natyral nga Rusia për të furnizuar 26 milionë familje në Europë.

Nëse do të punonte me kapacitet të plotë, do të zgjidhte mungesën e gazit dhe çmimin e lartë të energjisë. Megjithatë, SHBA është zotuar do t’i “japë fund” Nord Stream 2, nëse Rusia pushton Ukrainën.

Çfarë është Nord Stream 2?

Nord Stream 2 është një tubacion 1200 km nën Detin Baltik, që do të çojë gazi nga brigjet ruse pranë Shën Petersburgut në Lubmin të Gjermanisë.

Kushtoi 10 miliardë dhe u përfundua Shtatorin e kaluar. Gjigandi shtetëror rus i energjisë Gazprom financoi gjysmën e kostos dhe firmat perëndimore të energjisë si Shell dhe ENGIE të Francës, po paguajnë pjesën tjetër.

Nord Stream 2 është paralel me një gazsjellës ekzistues, Nord Stream, i cili ka funksionuar që nga viti 2011. Së bashku, këto dy tubacione mund të furnizojnë 110 miliardë metra kub gaz në Europë çdo vit. Kjo është mbi një të katërtën e të gjithë gazit që vendet e Bashkimit Evropian përdorin çdo vit.

Leave a Reply