Zbardhet dosja e Adriatik Llallës, Prokuroria: Skema që përdorej për pastrim parash

Prokurori i Pergjithshem Adriatik Llalla, duke dale pas nje takimi me Presidentin Bujar Nishani, ku kane diskutuar ne lidhje me goditjen dhe parandalimin e veprimtarise se grupeve radikale per dergimin e qytetareve shqiptare ne lufte ne Siri.

Dalin të dhëna nga vendimi i gjykatës për Krime të Rënda që vuri nën sekuestro pronat e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, ndaj të cilit po zhvillohen hetime për akuzën e pastrimit të parave.

Në hyrje të vendimit, bie në sy fakti se çështja penale ndaj Llallës, është regjistruar kryesisht, mbi bazën e të dhënave të publikuara në media, ku ndër të tjera flitet për jetën e luksit që bënte ish-prokurori i përgjithshëm dhe familja e tij.

Një tjetër argument, që prokuroria ka marrë në konsideratë, është edhe fakti se po përmes medias, janë informuar se ish-kreut të organit qendror të akuzës, i ishte ndaluar hyrja në shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në vijim, prokuroria rindërton skemën, sesi Adriatik Llalla, dyshohet se pastronte para. konkretisht, ai blinte prona në perferi të Tiranës, me një çmim të lirë dhe pasi i rivlerësonte i shiste me çmim të lartë.

Në vendimin e gjykatës thuhet ndër të tjera, se ish-kryeprokurori bleu 3 mijë metra katrorë tokë në shumën prej 1.5 milionë lekësh dhe pasi e rivlerësoi e shiti në shumën e 249 mijë eurove.

Nga ana tjetër, në po të njëjtën zonë, ish-kreu i organit të akuzës, pasi ka shitur këtë pronë, ka blerë një sipërfaqe tjetër toke prej 4500 metrash katrorë në shumën e 4.5 milionë lekësh, të cilën më pas e ka rivlerësuar gati dhjetëfishin e çmimit të blerjes.

Referuara fakteve të mësipërme, prokuroria ka dyshime se Llalla ka konsumuar veprën penale të pastrimit të parave, për sa kohë që jo vetëm nuk i ka deklaruar pasuritë në kohë, por ka kryer transaksione me të njëjtin person, duke blerë prona nën çmimin e tregut e duke i shitur me vlerë disa herë më të lartë. Në vendim thuhet gjithashtu se pronat e ish-kryeprokurorit u vunë nën sekuestro, pasi ekzistonin dyshime se ai mund të ndërhynte për ti tjetërsuar ato.

Leave a Reply