Kumanovë, Jess Baily viziton banorët: Të ruhet bashkëpunimi ndëretnik

Ambasadori amerikan në Maqedoni, Jess Baily, gjatë vizitës në “lagjen e Trimave” vlerësoi qëndrimin e qytetarëve të Kumanovës, të cilët – sipas tij, – mbetën të bashkuar edhe krahas ngjarjeve, që përjetuan më 9 dhe 10 maj.
Diplomati amerikan u mirëprit këtë të enjte nga banorët e lagjes shqiptare, ku qëndroi për të parë nga afër gjendjen në vendbanimet e tyre, pas incidentit të armatosur.

“Më me rëndësi është fakti se, qytetarët u bënë të gjithë bashkë gjatë këtij incidenti dhe refuzuan që ngjarja të cilësohej si një konflikt ndëretnik, si dhe nuk pranuan dhunën. Mendoj se ky është një mesazh shumë i rëndësishëm. Prandaj jam këtu, për të shprehur shqetësimin dhe miqësinë e SHBA-ve dhe për të biseduar me autoritetet lokale, si ta ruajmë këtë atmosferë dhe bashkëpunimin mes komuniteteve”, tha Jess Baily, ambasador i Shteteve të Bashkuara në Maqedoni.

Bashkë me ambasadorin amerikan, në “lagjen e Trimave” ka qëndruar edhe ministri i Brendshëm, Mitko Çavkov, i cili në këtë pozitë u emërua pas dorëheqjes së Jankullovskës. Ai i tha diplomatit amerikan se, Kumanova tashmë është një qytet i sigurt për të jetuar.

“Kumanova është e sigurtë. Ato janë ngjarje të izoluara, që u shkaktuan nga disa individë dhe grupe kriminale, që nuk gjetën mbështetje nga bashkësia lokale. Unë ju garantoj se Ministria e Brendshme punon intensivisht për të identifikuar kërcënimet dhe është e gatshme të reagojë në kohë”, tha Mitko Çavkov, ministër i Punëve të Brendshme në Maqedoni.

Nga ana tjetër, kryetari i Kumanovës, Zoran Damjanovski, kërkoi nga ministri i Brendshëm bashkëpunim më të ngushtë me pushtetin lokal, për të mos lejuar të përsëriten ngjarje, si ato që ndodhën në “lagjen e Trimave”.

 

Leave a Reply