Kancelarja gjermane, Angela Merkel, premtoi këtë të premte se do të punojë së bashku me David Cameron për të arritur një marrëveshje mbi reformimin e Bashkimit Europian, duke e mbajtur Britaninë ende pjesë të bllokut, duke thënë se “ku ka dëshirë, ka gjithnjë një rrugëzgjidhje”.
Dy udhëheqësit, konservatorë me një raport tepër të mirë ndërpersonal, ngritën çështjen nëse kërkesat e Cameronit për ndryshime në traktatin e BE-së mund të arriheshin përpara sesa Britania të mbajë referendumin mbi qëndrimin ose jo në bllokun europian.
Merkel, nga ana e saj, ka mbështetur idenë e ndryshimit të Traktatit të Lisbonës gjatë viteve të kaluara, në mënyrë që të sigurohet një integrim edhe më i mirë i vendeve të Eurozonës, por zyrtarët gjermanë e pranojnë se, tashmë ka shumë pak oreks për këtë gjë nëpër kryeqytetet europiane, duke e bërë atë jorealiste.
“Do të futem në këto diskutime në mënyrë konstruktive, sepse dëshiroj të gjej një zgjidhje”, tha Merkel.
Cameron, i cili fitoi një mandat të dytë si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar më 7 maj, tha se shpresonte dhe besonte që Europa do të tregojë fleksibilitet kundrejt një prej “vendeve më të mëdha të saj, kontribuese e madhe dhe faktor madhor europian”.
“Aftësia për të akomoduar shtet-kombe të ndryshme me dëshirat dhe besimet e tyre të ndryshme është një forcë dhe jo dobësi”, tha Cameron, i cili është pritur me nderimet e Rojeve të Nderit në Berlin.
Ai përsëriti sërish preferencën e tij për të qëndruar në një Bashkim Europian të reformuar, por e bëri të qartë se asgjë nuk mund të përjashtohet, nëse kërkesat e Britanisë nuk përmbushen.
“Ne të dy jemi udhëheqës të qendrës së djathtë dhe kemi pikëpamje të ngjashme për shumë çështje. Ne besojmë në përgjegjësinë fiskale, si brenda vendeve tona, ashtu edhe në Bashkimin Europian; besojmë në tregjet e lira; besojmë në marrëdhëniet përtej Atlantikut; besojmë edhe në tregtinë e lirë”, tha Cameron.
Një burim nga zyra e Cameron bëri të ditur se sjellja e Merkelit tregoi një “mirëpritje” ndaj mundësisë së ndryshimit të traktatit, që përbën edhe bazën konstitucionale të funksionimit të BE-së.
Cameron, nga ana e tij kërkon të kufizojë aksesin e emigrantëve të BE-së në mirëqenien e britanikëve, të përmirësojë tregjet jo të përbashkëta, si dhe të merren masa për të siguruar vendet jashtë Eurozonës se nuk do të kenë disavantazhe për integrimet e tyre madhore. Detajet e propozimeve të tij për reformimin e BE-së priten të publikohen më 25-26 qershor.
Ndërkaq, Presidenti francez, Francois Hollande ka bërë të ditur se dëshiron që Britania të qëndrojë në bllok, por ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius ka lëshuar një paralajmërim. “Ata (Britania) janë bërë pjesë e një klubi futbolli, ndërkohë që në mesin e një ndeshjeje futbolli nuk mund të ndalen e të thonë ta kthejmë në ndeshje regbije”, tha Fabius.