Një ditë pas çregjistrimit të kandidatit të Partisë Demokratike në Kurbin, Ilir Pjetraj, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu ka mbërritur të martën paradite në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku është takuar me 7 anëtarët e këtij institucioni.
Njoftimi zyrtar i KQZ-së thotë vetëm se, diplomati amerikan është njohur me ecurinë e procesit të deritanishëm të zgjedhjeve dhe vendimmarrjet e institucionit më të lartë zgjedhor, por mësohet se qëllimi i takimit ka qenë një tjetër.
Burime brenda takimit bëjnë me dije se ambasadori amerikan ka përshëndetur vendimmarrjen e një dite më parë të KQZ-së për regjistrimin e Altin Bibës si kandidat i PD-së në Kurbin. Diplomati mësohet se ka nxitur trupën zgjedhore që t’i përgjigjet sfidës së dekriminalizimit të politikës shqiptare dhe të zgjedhurve të saj.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në gjuhën shqipe, ambasadori amerikan mësohet të ketë thënë se “është detyrë edhe e KQZ-së pastrimi i politikës nga kriminelët”.
Në këtë mënyrë Donald Lu mësohet se ka nxitur trupën më të lartë zgjedhore të vijojë me çregjistrimin e çdo kandidati të identifikuar si i inkriminuar, që vjen si kërkesë e partive politike.
Por, duke mbajtur në konsideratë vendimmarrjen e një dite më parë në rastin e Kurbinit për të mos pranuar dorëheqje pas mbylljes së afatit ligjor të regjistrimit, anëtarët e KQZ-së kanë shprehur edhe pamundësinë ligjore për të vepruar në një tjetër mënyrë me kërkesën për kandidatin e Partisë Demokratike në Këlcyrë.
Në këtë rast, kërkesa për këtë të fundit ka mbërritur në KQZ për çregjistrim nga vetë subjekti politik, që megjithatë nuk ka dhënë arsyet shpjeguese në relacion për kërkesën e mospërfaqësimit me të.
Por ambasadori amerikan mësohet se ka shprehur besimin se do të gjendet forma ligjore për të pranuar kërkesën e PD-së për tërheqjen e kandidatit të saj në Këlcyrë.
Ajo që ambasadori ka lënë të kuptohet në këtë sfidë madhore të dekriminalizimit të të zgjedhurve është se qëllimi duhet të shihet me përparësi nga mjeti.
Qëndrimet e selisë diplomatike amerikane për dekriminalizimin nuk janë të panjohura, pasi vetëm pak kohë më parë ambasadori Lu do të deklaronte: “Kemi identifikuar kandidatë me histori kriminale”.
Vetë kjo ambasadë ka mbajtur në vijim kontakte me partitë politike në vend. Por, mesa duket, kjo betejë e selisë diplomatike të Uashingtonit vijon, edhe pse nga data e zgjedhjeve na ndajnë vetëm 19 ditë, duke bërë atë që partitë më të mëdha nuk arritën të realizonin: vendosjen e filtrave ligjorë për të penguar kandidimin e të inkriminuarve.