Komisioni Evropian ka dërguar në Prishtinë një ekip të ekspertëve faktmbledhës, të cilët do të shikojnë nga afër nëse Prishtina zyrtare i ka plotësuar kriteret e nevojshme për liberalizmin e vizave.
Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku është optimist se puna që kanë bërë për përmbushjen e kritereve për heqjen e vizave për kosovarët do të vlerësohet drejt. Ai shprehet i bindur se në fund të këtij viti Brukseli do të japë dritën jeshile për heqjen e vizave.
“Unë jam i bindur se do të ketë përputhje përafërsisht të plotë të të dy raporteve dhe nëse kjo do të ndodhë, atëherë jam i sigurt që Komisioni Evropian, duke e parë që Kosova i ka përmbushur tashmë të gjitha kriteret e kërkuara në udhërrëfyes, do të arrijë në përfundimin që të japë dritën jeshile, pra të japë rekomandimin pozitiv. Ne presim me plot realitet dhe optimizëm që rekomandimi pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës të jepet gjatë fundit të këtij viti. Çdo zvarritje e mëtejshme mendoj që do të jetë krejtësisht e pajustifikueshme”, deklaron Çollaku.
Për vonesat e deritashme në përmbushjen e kritereve, deputeti Ilir Deda, po ashtu nga Komisioni për Integrime Evropiane, ka fajësuar politikën kosovare. Deda ka fajësuar edhe Bashkimin Evropian për mungesë gatishmërie për heqjen e vizave për kosovarët, por sipas tij fajin më të madh e ka qeveria, e cila nuk ka luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Unë nuk di ç’të pres prej tyre sepse unë dhe asnjë nga anëtarët e Komisionit për Integrimet Evropiane nuk do të ketë takim me misionin faktmbledhës të BE-së. Duhet të shohim se si vlerëson ky mision faktmbledhës në fund gjithë këtë proces. Janë dy çështje këtu, një mosgatishmëria e BE-së për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës; dhe e dyta ka qenë mosgatishmëria permanente e qeverive të Kosovës të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, tek e fundit këtu kemi mbetut. Të shohim sesi do ta vlerësojnë ata këtë herë. Por pa e lexuar raportin nuk është e drejtë të spekuloj për atë çka presim”, ka thënë Deda.
Kosova ka filluar dialogun për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian në janar të vitit 2012, ndërsa në qershor të këtij viti ajo ka pranuar zyrtarisht udhërrëfyesin për liberalizim të vizave, me gjithësej 95 kritere dhe 60 rekomandime.