Shqipëria vijon të konsiderohet një vend pjesërisht i lirë nga organizata Freedom House, që kryen studime mbi demokracinë, lirinë politike dhe të drejtat e njeriut në gjithë botën. Në raportin paraprak për vitin 2019, Freedom House e vlerëson Shqipërinë me 68 pikë nga 100 në total me të cilat një vend konsiderohet krejtësisht i lirë. Renditja është e njëjtë me atë të vitit 2017.
Vlerësimi i përgjithshëm për Kosovën është më i ulët, me 54 nga 100 pikë. Përmirësimi është me 2 pikë krahasuar me vitin e kaluar. Përkeqësim të dukshëm ka shënuar Serbia, sipas Freedom House. Vlerësimit i janë hequr 6 pikë, duke e ulur këtë vend nga kategoria e vendeve të lira ku renditej vitin e kaluar, në një vend pjesërisht të lirë.
Aktualisht vlerësimi për Serbinë është 1 pikë më i ulët se për Shqipërinë. Raportet e Freedom House e krahasojnë presidentin serb Aleksandër Vuçiç me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, për politikat që ndjek kundër kritikëve të tij. Finlanda dhe disa vende të tjera skandinave janë të parat në listën e Freedom House si shtetet me liri të plotë.