Rusia dhe Arabia Saudite, dy nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë, kanë refuzuar të reduktojnë sasinë e nxjerrjes së ‘arit të zi’, pavarësisht luhatjeve të forta që po pëson çmimi i tij kohët e fundit.
Të dhënat nga Kremlini tregojnë se vendi prodhon 10.7 milionë fuçi në ditë dhe prej muajit gusht produktiviteti është rritur me 0.4%. Në të njëjtën ditë me publikimin e këtyre shifrave, ministri saudit i Ekonomisë tha se, vendi i tij do të vazhdojë të investojë për naftë dhe për gaz natyror, duke shtuar se qeveria mbetet e përkushtuar në zhvillimin e burimeve të energjisë. Edhe Arabia Saudite e ka rritur prodhimin me mbi 10 milionë fuçi në ditë gjatë muajve të fundit.
Por këto shifra kanë sjellë fenomenin e super-prodhimit në nivel global, duke bërë që edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të tregojnë shenja dobësie në treg. Por paralelisht me këtë situatë, çmimet e naftës po pësojnë tatëpjetën, ku në krahasim me vitin e shkuar çmimi i saj gati është përgjysmuar.
Kjo ka ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në ekonominë e vendeve prodhuese, ku buxheti i Arabisë Saudite, e cila 90% të të ardhurave të saj i mbështetet në eksportet e naftës, është goditur.
Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se qeveria saudite do të përballet këtë vit me një deficit buxhetor rreth 19.5% të prodhimit të brendshëm bruto, krahasuar me një deficit prej 3.4% gjatë vitit të shkuar. Po ashtu rënia e çmimit të naftës, e shoqëruar me sanksione perëndimore si edhe me zhvlerësimin e monedhës, e ka zhytur ekonominë ruse në një recesion të thellë.
Ndërkohë nga ana tjetër Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës është duke u përpjekur që të stabilizojë tregun. Por kjo organizatë ditët e fundit është përballur me një skandal të madh, ku presidentja e OPEC, Diezani Alison Madeuke, u arrestua nga autoritetet britanike me akuzën e ryshfetit dhe korrupsionit.