Biznesi fason do të përjashtohet nga pagesa 22 euro për skanimin si në importin e lëndëve të para, ashtu edhe kur eksporton produktin të gatshëm. Komisioni i ekonomisë miratoi propozimin e qeverisë, i cili veç fasonëve përjashton nga pagesa edhe një sërë kategorish të tjera.
“Së pari janë mallrat e vendosura në regjim tranzit. Së dyti janë mallra që dalin nga regjim i magazinimit doganor drejt një destinacioni tjetër doganor, por me përjashtim të rieksportit. Së treti janë mallrat që hyjnë në magazinat e lira dhe gjithashtu dhe mallrat që dalin nga magazinat e lira me procedurë rieksporti”, tha ministri Cani.
Sipas ministrit të Financave në total janë mbi 150 mijë deklarata doganore që do të përjashtohen me një lehtësim total për biznesin prej 4 milionë euro, të cilat do të përballohen nga buxheti. Por sërish deputetët socialist kanë rezerva mbi koncesionin, i cili sipas tyre është një barrë që ja la biznesit qeveria paraardhëse.
“Nëse është koncesion për mendimin tim i turpshëm, që nuk ka asnjë të mirë për buxhetin e shtetit, por vetëm që dëmton buxhetin e shtetit, dëmton qytetarin, është koncesioni i skanimit të automjeteve. Gjithnjë nën zë biem dakord që është konçesion korruptiv, dhe duhet ta trajtojmë si të tillë”, tha Ervin Koçi, deputet i PS-së.
Por ish ministri demokrat i Financave Ridvan Bode, njeriu që ka firmosur koncesionin duke mohuar akuzat për korrupsion thotë se qeveria në atë kohë e pa më të arsyeshme që ta kalonte pagesën tek biznesi dhe jo përmes buxhetit.
“Mos harroni që vendet fqinj me ne kanë bërë disa shpenzime me kosto shumë herë më të larta. Çështjet jo ka korrupsion etj., janë çështje që çojini, hetojini, po dolën ashtu është e zgjidhur kontrata. Ka rregull, norma bazë”,u shpreh Bode.
Por veç debatit me kundërshtarët maxhoranca duket se ka debate edhe brenda vetes. Erjon Braçe i ka kërkuar edhe më parë qeverisë që ta hetojë koncesionin, i cili pas miratimit në Kuvend shiti 49 për qind të aksioneve vetëm për 490 lekë.
“Unë vijoj të mos ta besoj që 49% të aksioneve të një biznesi prej 360 mln eurosh minimumi të jenë shitur për 490 lekë të reja. Prandaj më lejoni ta kem për herë të dyte me ju. Unë dua të di se kur do të keni një përgjigje nga organet fiskale dhe ju si ministri për ta hetuar këtë transaksion, me produkt konkret”, tha Braçe.
Ndryshimet e fundit të kontratës lehtësojnë më tej sipërmarrjen nga koncesioni i shumëpërfolur i skanimit. Megjithatë kostoja e tij për një kategori biznesesh mbetet e lartë, ndërkohë që veç biznesit në disa raste detyrohet të paguajnë tarifë edhe individët për importin e mallrave për përdorim vetjak si automjetet që blejnë nga jashtë.