Qenka realizuar dhe një takim në mes të dy përfaqësuesve (njëri legjitim e tjetri ilegjitim) fetarë me Ministrin e shëndetësisë, Venko Filipçe, me rastin e uljes së numrit të të infektuarve nga Koronavirusi! Takimi mbahet në prag të festave fetare, ortodokse dhe islame, duke vënë theksin në ndikimin e krerëve fetarë te pjesëtarët e tyre që mos të ndikojnë në përshkallëzimin e sërishëm të infektimit dhe të vdekshmërisë me tubime familjare në prag të festave.
Po pse, kjo punë qenka në duart e liderëve fetarë? U bë Filipçe që të na e diktojë se si ta festojmë ne Ramazanin apo Bajramin! Mendon Filipçe se përmes Shaqir Fetait do të arrijë të ndikojë te myslimanët e vendit! Po kush ia ngulë Shaqir Fetait në vend?! Nëse kërkohet prej tij që të apelojë, për inat të tij do të vlojnë vizitat, qofshin këto me pasojë vdekjeje!
Në fakt, Shaqir Fetai edhe një herë ka pranuar që të diskriminohet dhe të ofendohet institucionalisht, si mos më keq! Shihni se si dallojnë karriget e liderëve ku janë ulur! Po cili lider fetar mysliman kishte lejuar që në tavolinë, derisa ai është agjërueshëm, të tjerët të pijnë e të bëjnë qejf. Ministri me kafe e kryepeshkoi me ujë përpara!
Po pse këta liderë gjytyryma pranojnë një faj dhe një barrë që nuk u takon! Pse këta dy liderë nuk ia kanë thënë troç Filipçes se, numri i të infektuarve nuk është pasojë e festave fetare, dhe as e politikave shëndetësore të bashkësive fetare por, thjesht, është pasojë e politikave dëshpëruese të Ministrit dhe të kësaj qeverie!
Pse këta dy liderë fetarë nuk kanë ngritur zërin kundër paaftësisë së Ministrit të Shëndetësisë dhe të Qeverisë për të siguruar sa më shumë vaksina kundër Koronavirusit me qëllim që festat të kalohen sa më gëzueshëm. Pse kërkohet nga këta dy liderë të kontribuojnë në zbutjen e situatës kur poltikat e ministrisë së shëndetësisë nuk kanë paraparë që, ndër të parët, të vaksinohen edhe nëpunësit fetarë të cilët për çdo ditë takojnë me dhjetra e qindra besimtarë! Pse diskriminohen në raport me ata që detyrat i kryejnë online?
Lidërët fetarë nuk janë pjesë e qeverisë që të marrin urdhëra dhe të zbatojnë urdhëra qeveriitare. Instituconet fetarë janë “opozitë” e pushtetit në politikë, ndërsa në shtet janë tërësisht të pavarur dhe nuk kanë se pse ngarkohen me detyra qeveritare. Janë këta institucione që duhet ta ngarkojnë pushtetin me detyra e obligime që i kanë ndaj komuniteteve fetare!(Lajme7)