Sikur brenda BFI-së të funksiononte një Komision i Pavarur për Integritet, deri më sot Shaqir Fetai do të ishte ndëshkuar si moralisht, ashtu edhe penalisht për dhjetëra raste të rënda korruptive. Fetai ka vepruar në mënyrë sistematike për të rrënuar BFI-në. Në disa raste, këtë e ka bërë për të siguruar rehatinë e tij personale në postin që e ka marrë përmes intrigave; në raste të tjera, për shkak të vesit të tij prej hajni të pangopur
Nga Venera Bytyqi
Shaqir Fetai ka dëshmuar se është i vendosur që të heshtë për çështjet e vakëfeve, nga frika se skandalet do t’i dalin në shesh. Për shembull, nuk ka thënë asnjë fjalë për rastin “Ibni Pajko”, ku hoqi dorë nga një pronë për vetëm 300 mijë euro – një pronë e pacenueshme për nga vlera dhe rëndësia e saj. Po ashtu, ka heshtur për humbjen e një objekti miliona dollarësh në Myftininë e Gostivarit, një investim i mbështetur nga Banka Islame për Zhvillim, që u anulua si pasojë e korrupsionit të tij.
Nuk ka marrë asnjë qëndrim për çështjen e “Arabati Baba Teqes” në Tetovë, dhe akoma nuk është shpjeguar pse kjo pronë u bë objekt gjyqësor në Apelin e Gostivarit. Më parë, BFI-ja kishte arritur marrëveshje me një firmë turke për investime milionëshe për restaurimin e Teqes, por sot nuk ka asnjë gjurmë të kësaj iniciative.
Shaqir Fetai e ka shkatërruar Fondin për Stipendimin e Studentëve, një iniciativë e krijuar nga Banka Islame për Zhvillim, që mbështeste mbi 50 studentë dhe rritej vazhdimisht me kontributet e ish-studentëve bursistë tashmë të punësuar. Ai gjithashtu ndërpreu bursat arabe prej 300 eurosh për studentët e Fakultetit të Shkencave Islame, pa asnjë justifikim të qartë.
Në vend që të mbrojë xhamitë dhe pronat e BFI-së, Shaqir Fetai ka lejuar që disa prej tyre të shndërrohen në kisha, muze, apo xhami private jashtë kontrollit të institucionit. Po ashtu, ai ka orientuar të gjithë strukturën e BFI-së në shërbim të “myftinisë paralele” të Tetovës dhe të Myftinisë së Gostivarit, duke neglizhuar myftinitë e tjera, që tashmë e kanë izoluar krejtësisht.
Ka prekur buxhetin e Haxhit duke ngritur sistemin korruptiv “Mysafirët e Reisul Ulemasë” duke dërguar dhjetra persona në haxh me paratë e BFI-së, siç i doli skandali me Enver Bexhetin, gjykatësin e futur ne Listën e Zezë Amerikane për shkak se ka mbrojtur satrapin e shqiptarëve, Sasho Mijallkovin.
Skandali me pronën e vakëfit në Seravë: Kush e shkriu pasurinë e myslimanëve?
Dikur, në lagjen e Seravës, në Çair të Shkupit, gjendej një prej depove më të ndotura të Ndërmarrjes Komunale të Higjienës. Ishte një zonë e degraduar dhe e kontaminuar, që shërbente si parking i kamionëve të plehrave dhe që shtrihej mbi tokën e uzurpuar të vakëfit, dikur pronë e Myftinisë së Shkupit. Pas denacionalizimit, kësaj prone iu kthye statusi i saj fillestar si vakëf. Por sot, kujt i takon kjo pronë? Dhe, më e rëndësishmja, çfarë ka ndodhur me të?
Një rikthim vakëfi apo fillimi i shitjes së tij?
Pas ligjit për denacionalizim, Bashkësia Fetare Islame punoi për rikthimin e kësaj prone. Përmes kontributit të jashtëzakonshëm të ish-drejtorit të Higjienës Komunale, z. Rakip Doçi, dhe insistimit këmbëngulës të drejtuesve të atëhershëm të BFI-së, kjo pronë iu kthye Myftinisë së Shkupit si vakëf. Premtimet dhe entuziazmi ishin të shumta. U planifikua ndërtimi i një hoteli me pesë yje, “Isra”, që do të ishte pronë e vakëfit dhe do të gjeneronte të ardhura të mëdha për Medresenë “Isa Beu”. Ky ishte dakordimi i palëve që ishin marrur vesh: pasi të liheshin çelësat e hotelit në “dorën” e BFI-së, tek atëherë, investitori GEMAK në partneritet me RAJANA INXHINIERING, do të mund të fillonin ndërtimin e kompleksit prej pesë ndërtesave për banim si dhe të objekteve të tjera sipas projektit që do të shtrihej në tërë tashmë ish-pronën e Vakëfit të Myftinisë së Shkupit.
Më 2 tetor 2019, me shumë bujë, në prezencë të medieve dhe myftinjve si dhe të faktorit politik të atëhershëm, u hodhe guri themeltar i këtij hoteli. Ishte dakorduar që, pasi të përfundohej ky hotel shtatëkatësh, me sipërfaqe prej 5.350 m², investitorët do të kishin të drejtë të ndërtonin një kompleks banesash dhe qendra tregtare. Ky ishte një plan ambicioz, që supozohej të sillte përfitime të mëdha për vakëfin.
Por sot, pesë vite e gjysmë më vonë, ky projekt ka përfunduar si një prej skandaleve më të turpshme në historinë e BFI-së.
Hoteli “Isra” nuk ekziston!
Në vend të tij, në ish-pronën e vakëfit, është ndërtuar një kompleks rezidencial i quajtur “Premium Residence”, që shitet si një “oaz europian” me 450 banesa dhe qendra tregtare.
Nga hoteli i vakëfit që do të gjeneronte të ardhura për Myftininë e Shkupit, nuk ka mbetur asnjë gjurmë.
Marrëveshja që u shkel dhe pyetjet që nuk marrin përgjigje
Ku shkuan premtimet për përfitime vakëfi? Me çfarë të drejte dhe vendimi kjo pronë, që ishte amanet i myslimanëve, është kthyer në biznes privat? A ç’është më e rëndësishmja, kush përfitoi nga ky skandal? Flitet se disa individë brenda dhe jashtë BFI-së kanë marrë banesa falas në këtë kompleks, në këmbim të heshtjes së tyre.
Shaqir Fetai, i cili sot drejton BFI-në, ka dijeni për gjithçka, por vazhdon të heshtë. Nuk ka asnjë reagim nga myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, i cili duket se ka mbyllur një sy ndaj këtij mashtrimi masiv. Si mund të shkatërrohet një pasuri që do të duhej të ishte shtyllë e financimit të arsimit islam në vend?
Sot, BFI-ja dhe Myftinia e Shkupit nuk përmbajnë asnjë dokument të qartë për çfarë ka ndodhur me këtë pronë. Marrëveshjet origjinale qëndrojnë të fshehura, ndërsa opinioni publik mysliman është lënë plot me pikëpyetje. Në faqet e reklamuara të Premium Residence, as që përmendet se hoteli do të ishte pronë vakëfi. Madje, duket sikur këta investitorë as nuk kanë pasur ndonjëherë qëllim të respektojnë obligimet e tyre ndaj BFI-së, apo ia kanë dalur që t’i korruptojnë 3-4 persona kyç të BFI-së me qëllim që të heqin dorë nga hoteli dhe ta heshtin atë!
Pse nuk ka asnjë raport financiar? Pse nuk ka transparencë? A ka qenë gjithçka një lojë për tjetërsimin e vakëfit?
Heshtja e Shaqir Fetait dhe përfitimet personale
Ky skandal është një shembull i pastër i keqpërdorimit të vakëfit për interesa personale. Shaqir Fetai, me heshtjen e tij, ka shkelur mbi amanetin e myslimanëve dhe mbi vetë vakëfin. Ai ka dëshmuar se nuk ka as interesin më të vogël për ruajtjen e pasurisë së BFI-së. Në vend që të mbronte pronën e shenjtë të myslimanëve, ai ka zgjedhur të mbyllë sytë ndaj mashtrimeve dhe korrupsionit.
Prandaj, është koha që ky skandal të hetohet deri në detajin më të vogël. Organet e drejtësisë duhet të marrin masa të menjëhershme për të zbuluar kush janë përgjegjësit e këtij krimi ekonomik dhe moral. BFI-ja duhet të kthejë besimin e humbur të komunitetit mysliman duke garantuar transparencë dhe llogaridhënie për menaxhimin e vakëfit. Amaneti i myslimanëve nuk është për të shitur, dhuruar apo shpërdoruar. Ai duhet të mbrohet, për të mirën e brezave të ardhshëm. Shaqir Fetai nuk guxon me aq lehtësi të heq dorë nga hoteli (“Isra”) shtatëkatësh ose duhet të shkojë në përgjegjësi duke e zbardhur problemin – çfarë u bë me hotelin apo me pronën-vakëf të BFI-së!