Partia Demokratike më në fund po jep shenja se diçka po kupton në këtë vend. Protestat e saj megjithëse me ndrojtje, po i afrohen zonës sensitive të opinionit publik. Zonës ku qeveria nuk arrin të kuptojë pse njerëzit ngrihen kundër saj, tani që FMN nënshkroi marrëveshjen, tani që një djalë trendy u bë ministër financash dhe pikërisht tani, kur shakatë e Kryeministrit patën kaq shumë sukses në Londër.
Në fakt Shqipëria nuk po ringrihet siç thotë Basha. Shqipëria aty ka qenë. Eshtë Shqipëria e armëve kimike që nuk pranon mungesë transparence, por as dhunë mbi institucionet. Që nuk fal Erin nëse ai trash zërin më shumë se profili i tij i butë apo as Bashën kur përdhos ndërtesën ku punoi katër vjet. Shqipëria nuk po rizgjohet. Shqiptarët janë aty, më të vëmendshëm se kurrë ndaj gënjeshtrës dhe mungesës së transparencës, ndaj shqetësimeve ekologjike, por jo se e thotë Sazani apo ndonjë zë i ngjirur dhe hallakat që tenton të shesë cigare me tezga afër Shqup-it.
Eshtë Shqipëria e 21 janarit që u ngrit ndaj korrupsionit dhe dhunes, ndaj dhe nuk pranon shuplakën në fytyrën e një gruaje, edhe nëse ajo përdhos simbolet e shtetit. Kjo është arsyeja pse kjo është Shqipëria që më mirë pranon fytyrën butake të Salianjit sesa energjinë diabolike të murit të Facebook-ut të Doktorit.
Duket se këtë Luli e ka kuptuar. Ka kuptuar se kjo nuk është më Shqipëria e vajgurit, as e vajit të lulediellit, as e margarinës dhe qofteve. Është Shqipëria e shekullit 21, e sushit, e alternativave e brezit të shkolluar, e ps-omëve dixhitalë, që nuk të falin qimen dhe të marrin erzin edhe nëse vesh në mbrëmje kravatën e gabuar.
Rama, i cili pretendon të jetë ndryshe, mbetet në çdo rast një 50 vjeçar plus, që mendon se me batuta, dhe me retorikë interesante, mund të bëjë gjithçka në këtë vend. Koha po tregon se kjo tashmë nuk është mjaft. Ndaj protesta ka kudo. Janë të vogla, të lokalizuara të problemet konkrete. Aspak të ndikuara nga retorika e opozitës. Por kjo e fundit më në fund po tregohet e vëmendshme, diskrete dhe po rrethon problemet e njerëzve. Me shpresë se kështu do të rrethojë qeverinë. Edhe me ndihmën e kuajve të Trojës.
Por në fund kjo ka shumë pak rëndësi. Rëndësi ka që më në fund nuk është fshati politik që po rrethon qytetin. Eshtë shoqëria që e ka futur fshatin dhe provincializmin te cepi, dhe po bëhet edhe njëherë sexy për politikën. Që deri dje e shihte si një hambar votash ku fuste duart çdo dy vjet.
Jam i lumtur për këtë Shqipëri që nuk kënaqet kurrë me pak, por nxiton drejt Europës shumë më shpejt se ata që nuk e kuptojnë. Dhe të tjerët që mundohen më kot ta rrethojnë.