Një grup organizatash të mbështetura nga fondacioni Soros, pasi kanë kryer një monitorim tremujor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kanë evidentuar se shumë pacientëve nuk u ofrohet një shërbim i kujdesshëm, çka ndikon në përkeqësimin e mëtejshëm të gjendjes së tyre shëndetësore.
Ata i kanë dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, ku kërkojnë marrjen e masave të duhura për përmirësimin e gjendjes në shëndetësi.
Janë me dhjetëra pacientë të identifikuar të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, por nuk marrin mjekimin e duhur pasi ka mangësi në medikamente, analiza dhe në ndërhyrje kirurgjikale.
“Një pjesë e pacientëve vuajnë sëmundje të rënda dhe shërbimi në qendrën më të madhe spitalore nuk u ofron shërbimin e nevojshëm prej të cilit varet direkt jeta e tyre”, thuhet në letër. / Top Channel