A blihet simpatia me fitra e zeqat

Është e drejte e gjithësecilit që të shtrojë iftar dhe të ftojë për iftar kë të dojë ai, madje, mundësisht, të ftuarit e tij ta kenë të drejtën e një gote raki si aperativ para se të nisin iftarin! Dhe, kjo ftesë për iftar të përbashkët nënkupton edhe pagesën prej xhepit të vetë ftusit apo edhe prej atyreve që mund t’i mashtrojë si sponsoristë

Nga Mahir Rexhepi

Kur të përmbysen vlerat është diçka që sinjalizon fundin e njerzillëkut, një hap drejt kijametit! Dëbimi nacist i shqiptarëve të Kosovës gjatë spastrimit etnik të Sllobodan Millosheviqit, një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve i përballi me një vlerë të pashpalosur deri atëherë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Qindra e mijëra kosovarë u strehuan nëpër shtëpitë e vëllezërve të tyre në RMV. Një prej këtyre kosovarëve ishte edhe Naim Tërnava, kryemyftiu i Bashkësisë Fetare Islame të Kosovës! Ky farë burri strehën e gjeti te shtëpia e homologut të vet, ish-reisul ulemasë, H. Sulejman ef. Rexhepi! Atë çka e bëri efendi Rexhepi për Tërnavën dhe për Institucionin e tij, Naim Tërnava nuk do të mund t’ia kthejë për shtatëqind mijë Bajrama! Dhe nuk i kërkohet, absolutisht jo, porse njerëzillëkun ia kërkon gjithësecili, madje edhe vetë Zoti! A e ka sot Tërnava këtë vlerë?! Me veprimet që po i ndërmerr po dëshmon se ai është teneqe që lakohet kah të fryjë era! Sot ai i përulet, i bën nder të jashtëzakonshme, i serviloset Shaqir Fetait, armikut publik të Sulejman ef. Rexhepit, komplotistit dhe puçistit, tradhëtarit i cili ia nguli thikën pas shpine mikut “më të ngushtë” të Naim Tërnavës, H. Sulejman ef. Rexhepit! E thotë këtë islami?

1.
Kur njeriu shkëput kontaktin me realitetin, atëherë kërkon “realitete alernative”, kërkon diçka që është jashtë kohës, jashtë hapësirës, jashtë porosive të Krijuesit Absolut. Kjo dëshmon për shpirtprishuninë e atij që ka kërkesa të tilla absurde, kjo dëshmon për humbjen e sensit të devotshmërisë, për humbjen e nevojës për të qenë njeri, për humbjen e natyrshmërisë së njeriut, për shëndërrimin e tij në djall!
Gjithnjë e më evidente po bëhet humbja e simpatisë të cilën Shaqir Fetai është në gjendje edhe ta blejë me para, edhe ta kontrabandojë, edhe ta joshë si boss-i putanet e rrugicave të errëta. Shaqir Fetai është në gjah të “simpative alternative”, të cilat nuk janë asgjë tjetër përveçse mashtrime optike që një ditë do t’i kthehen bumerang mbi kokën e pamend të avdallit!
Zoti edhe me Kuran ka bërë shumë të qartë se si guxon të shpenzohet fitri dhe zeqati! Në asnjë ajet kuranor, në asnjë praktikë islame nuk thuhet se fitri mund të harxhohet duke paguar iftar për popa, për politikanë, për bisnesmenë, për pasanikë, për diplomatë. Këtë e lejon vetëm “islami” i Shaqir Fetait, i cili, me paratë e fitrit dhe zeqatit është në gjendje ta kryej edhe më të pabëshmen, më të dënueshmen dhe më të palejueshmen islamikisht!
Shaqir Fetai ka humbur simpatinë e myslimanëve të vendit. Shaqir Fetait i duhet simpatia e popave, e politikanëve, e dallaverxhinjëve, e diplomatëve etj. Dhe këtë simpati nuk e blenë ai me paratë e veta apo të familjes së vet por, me paratë e xhematit fukara që ka ndarë nga kafshata e vet për ta kryer një obligim islam në raport me institucionet fetare. Kryeinstitucioni fetar ato para i shpenzon për teke dhe për interes të instalacionit që disa qarqe antiislame e sollën në krye të një Institucioni i cili tashmë rreptësisht është dashur ta dënojë veprimin e Shaqir Fetait!
Shaqir Fetai thotë se ka shtruar “iftar tradicional”! Pse a paska edhe jo tradicional, a? Shaqir Fetai ka shtruar një iftar gllamuroz i cili nuk i ka hije një myslimani! Iftari u shtrohet të varfërve, fukarenjëve, të ngratëve, jetimëve, njerëzve në nevojë. Iftari nuk u shtrohet atyre përkrahja e të cilëve të duhet shumë. Sepse, nëse të përkrah një prift, apo një politikan, një funksionar shteti, e që kurrë nuk kanë shprehur më të voglin respekt ndaj vlerave të fesë islame, atëherë ti ke hequr dorë nga vlerat dhe nga interesat islame. Ke lajthitur në tru! Këtë nuk e durojnë myslimanët e devotshëm. Prandaj, që kur e instaluan këtë “melaqe të mullirit” në krye të BFI-së, fitri dhe zeqati i dorëzuar në BFI ka pësuar një rënie në masë prej 49.1 për qind në të mirë të shoqatave që funksionojnë në emër të “isalmit”! Mbase ky edhe është synimi i Shaqir Fetait!
Shaqir Fetai, me këtë rast, paska mbajtur edhe një fjalim idiotik, përplot me budallallëqe që mund t’i nxjerrë vetëm goja e tij.
Shaqir Fetai thotë se “Iftari dëshmon konceptin hyjnor të Zotit se njeriu është vepra më e bukur dhe më e dashur e Zotit dhe çdo tendencë e nënçmimit të kësaj vepre të përkryer të Zotit, është kundër vullnetit dhe ligjit të Zotit.” Pra, mos më shani mua për këtë iftar se do të jeni kundër Zotit! Nuk guxoni ta nënçmoni Shaqir Fetain “si krijesë e Zotit” sepse do të jeni kundër Tij! Shaqir Fetai duhet të duartrokitet dhe të adhurohet për vjedhjen e fitrit, për nëpërkëmbjen e fitrit, për vjedhjen e vakëfit, për shkatërrimin e institucionit islam, për devalvimin e fesë islame, për talljen me medresantët, për gjithçka që ai vepron natë e ditë kundër fesë islame!
Shaqir Fetai thotë se “Iftari është ambient i Ramazanit kur pas agjërimit vjen dashuria ndaj njëri tjetrit, afërsia me tjetrin, mbjellja e paqes, solidaritetit, mirëqenies, kujdesit dhe ideja për një jetë të lumtur për të gjithë”! E para iftarit të Ramazanit, gjatë kohës së agjërimit nuk ka as dashuri, as paqe, as kujdes, as mirëqenie, as lumtuti… A është në vete se çfarë flet Shaqir Fetai, ky turp i gjithë myslimanisë! Ky është në gjendje të pallamudë gjithçka para atyreve që ndonëse e dinë që i gjori është duduk fare, do ta duatrokasin si “alim”!
Dhe ky farë “alimi” vazhdon më tutje, duke thënë se “prezenca e juaj sonte në këtë iftar modest kësaj nate dhe këtij ambienti të iftarit i dhatë kuptimin, synimin dhe gatishmërinë për të evituar të keqen, destruktiven, armiqësinë në mes njerëzve, për të eliminuar varfërinë, skamjen”! A ka më cinizëm se kaq! A ka idiotizëm më shumë se kaq! A ka injorancë më të madhe se kaq! Jo!
Shaqir Fetait iu paska dashur ky iftar që të marrin fund keqkuptimet, destruktivja, armiqësia në mes njerëzve, të marrë fund fukarallëku?! Pas këtij iftari të Shaqir Fetait qenka eliminuar skamja, varfëria!!! Zatën, Shaqir Fetai kurrë nuk sheh të varfër, fukarenj, të skamun, porse, për të, të gjithë janë qenie potencialisht për t’u spiunuar, ndaj të cilëve nuk duhet të kihet as mëshirë dhe as respekt. Ky është Shaqir Fetai, medet për myslimanët e vendit!

2.
Shaqir Fetai, pikërisht në ditën kur një Komunë e tërë, një Myftini e tërë vendos që t’u shpreh respekt teologëve historik të këtij territori, hoxhallarëve nga Tetova që dhanë gjithçka për fe e për komb, gjeti që të mungojë e t’i përgjigjet thirrësit i cili do t’i shtrojë një “iftar solemn”! Shaqir Fetai vdes për iftare të tilla, aq më tepër kur ato shtrohen nga miqtë e dikurshëm të ish-reisul ulemasë H. Sulejman ef. Rexhepit!
Çka i hy në xhep myslimanëve të vendit, Institucionit fetar, iftari i Naim Tërnavës që e shtron për Shaqir Fetain? Dy shpenzime (të të dy bashkësive fetare) për t’i shprehur respekt Shaqir Fetait, bashkëpunëtorit të oficerit të UDB-së, Stanko Dragoviqit! Vetëm një mosmirënjohës, një i të të njëjtave ujëra të turbullta, si Naim Tërnava, mund t’i shpreh respekt armikut më të fëlliqtë të mikut të tij të dikurshëm, H. Sulejman ef. Rexhepit!
Shumë shpejtë, madje është çështje muajsh kur do të dalin studimet e sakta, bazuar në fakte e në argumenta, që do të flasin për të keqen e tmerrshme që i ndodhi myslimanëve të vendit, Bashkësisë Fetare Islame si dhe vetë islamit që me shekuj është kultivuar në këtë nënqiell, e që u shkaktuan që nga momenti i instalimit politik të Shaqir Fetait në krye të BFI-së nga disa qarqe që e kanë ëndërruar me shekuj pozitën kaq të mjerë e kaq katasrofale të BFI-së në këtë vend! Këtë e arritën vetëm pasi e mbollën farën e keqe, Shaqir Fetain, në bahçen e myslimanëve të këtij vendi!

Leave a Reply