Alfabeti është “fryma e shenjë” e çdo gjuhe

Në fokus

Ditët e Alfabetit Shqip që, mbi të gjitha, përkujtojnë ditët më të veçanta të intelektualëve të kombit, 14-22 nëntor të vitit 1908, të cilët, në Kongresin e Manastirit do të themelojnë Alfabetin e Gjuhës Shqipe! Kjo ngjarje si dhe Kryengritja e Kaçanikut (1910) janë dy prej ngjarjeve më vendimtare që do ta trasojnë rrugën drejt Pavarësimit dhe krijimit të Shtetit Shqiptar! Sa këtyre dy ngjarjeve shtetet dhe kombi shqiptar u japin rëndësinë e merituar? Pas plotë 114 viteve, përkatësisht, 110 viteve, çfarë po bëjnë Shtetet Shqiptare si dhe, përgjithësisht shqiptarët, për këto dy shtylla kryesore të shtetit dhe identitetit etnik e kulturor shqiptar? Asgjë, thjesht, asgjë! Eventualisht, ndonjë koncert me këngë e valle popullore, aty-këtu ndonjë orë mësimore, ndonjë tribunë shkencore, zakonisht ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe, kaq! Nga ana tjetër, shënim deri-diku më dinjitoz është organizuar për Kongresin e Drejtshkrimit, organizuar këtu e 50 vite më parë në Tiranë, me ç’rast u arrit standardizimi i Gjuhës Shqipe!
Këto ditë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë, në bashkëpunim me Akademinë e Kosovës, u përkujdes për një shënim “më dinjitoz” të “Kongresit të Drejtshkrimit”, si dhe, margjinave të këtij eventi shkencor, ta zënë ngoje edhe “Kongresin e Manastirit”. Krejt mbrapsht, sido qoftë, në këtë organizim të akademive ishin ftuar edhe shtetarët dhe liderët politik të trevave etnike shqiptare! Dhe, çka u konstatua? Çka u tha për gjuhën shqipe! Ç’vendime të fundit qeveritare u shpalosën për nderë të Alfabetit dhe Gjuhës shqipe? A mos u vendos për një datë që do të jetë datë festive gjithëkombëtare për ditët e alfabetit. A mos u kumtua vendimi që tash e tutje edhe Shqipëria dhe Kosova, 22 Nëntorin, ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, do ta festojnë si ditë shtetërore e kombëtare, ashtu siç e festojnë vetëm shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Kush i frikëson, pse tremben Shqipëria e Kosova, pse shtetet shqiptare nuk iniciojnë festimin e përbashkët të kësaj date? Kjo është ajo ngjarje e cila kurrë nuk mund të përsëritet dhe as të “mbindërtohet”! Alfabeti është “fryma e shenjtë” e çdo gjuhe. Standardi, si normë gjuhësore, është relative, dhe në çdo kohë mund të organizohet ndonjë kongres tjetër i ngjashëm për ndryshime, plotësime, përmirësime? Sido qoftë, është mirë kur institucionet nacionale dhe faktorët e ndryshëm shoqëroro-politik organizohen për të përkujtuar një ngjarje që nderon kombin tonë!
Është lehtë të kritikohen gjuhëtarët, akademikët e fushës përkatëse, institutet albanologjike, profesorët, madje të kritikohen prej një kryeministri që e ka fuqinë ligjore, por edhe detyrën dhe obligimin kombëtar për t’i evidentuar dhe eliminuar të gjithë problemet, defektet dhe anomalitë që rrezikojnë gjuhën apo që pengojnë zhvillime dhe suksese në lëmin e gjuhësisë. Është shumë lehtë që mburravecët të trumbetojnë se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, për shembull, në Republikën e Maqedonisë së Veriut! Nuk mund të ketë politikanë kombëtar seriozë por as “fqinjësi të lezetshme” nëse këmbëngulin që shqipja të flitet e të emërtohet si gjuhë e “20%”! Nuk ka zyrtarizim të gjuhës shqipe me do farë “agjencish” si mbikëqyrës se kush e flet e kush jo gjuhën shqipe; administratorët e “agjencisë” nuk mund të sanksionojnë asnjë subjekt që nuk do të flasë gjuhën. Nuk ka përkujdesje serioze shtetërore e kombëtare për gjuhën shqipe pa themelimin e Institucionit shtetëror “Provimi i lektorit” të udhëhequr nga akademikët e gjuhës shqipe, ku do të merrej licenca e lektorit. Lektorët e gjuhës shqipe do të duhej të ishin “zanatçinjtë” më të kërkuar dhe të punësuar në çdo zyre, në çdo redaksi, në çdo shtëpi botuese, në çdo produksion e në çdo vend ku palosen letrat me shkronja shqip. Janë të kota të gjitha ato “brenga” për gjuhën dhe “lëvdatat” për të arritura politike për pozitën e gjuhës shqipe, nëse nuk funksionon “institucioni i sanksionimit” të çdo personi, ndërmarrje shoqërore e politike, që, të paktën, në shkrime e devalvojnë dhe e përdhosin gjuhën shqipe! Inspektimi i deformimit të gjuhës shqipe në letër është ekskluzivisht në tagrin e lektorit. Lektori është profesion i shenjtëruar dhe me këtë punë nuk guxon të merret turlifarë diletanti.
Prandaj, politikanët shtetërorë para se të kritikojnë apo të vetëlavdërohen për gjuhën shqipe, nëse është e lashtë apo zyrtare, nëse është standarde apo e deformuar, nëse po kanoset nga neologjizmat apo nga barbarizmat, duhet të bëjnë shumëfish më tepër për gjuhën dhe gjithnjë të jenë të ndërgjegjshëm se në fakt nuk po bëjnë asgjë për gjuhën shqipe. Dikur patriotët sakrifikonin gjithçka, ishin në gjendje edhe të vdesin për gjuhën shqipe. Sot, “patriotët” tanë, ndonëse të lirë, nuk po bëjnë asgjë për gjuhën, kjo ngase mungon vullneti, dashuria dhe të kuptuarit e rolit jetik që ka gjuha për identitetin etnik e kulturor të kombit tonë. /HEJZA/

Leave a Reply