Brezni të rrëmbyera

Në fokus

Dyzet vjet më parë, në trevat etnike shqiptare (në Shqipëri më vonë), kishin depërtuar video-kasetat të cilat përdoreshin prej të rinjve që në shtëpitë e tyre kishin ndonjë video-rekorde. Mblidheshin familja, të rinjtë dhe, këqyrnin filma. Diçka si në kinema!
Në këtë periudhë pothuajse nuk kishte katund e qytezë ku nuk kishte kinema. Nëpër qendra më të mëdha funksiononin edhe nga tre, katër, pesë e më shumë kinema. Madje, nëpër kinematë e kryeqendrave një film shfaqej nga 4-5 herë në ditë. Sallat përplot me njerëz. Brenda dhjetë viteve, periudhë kjo kur u zhvilluan videokasetat dhe CD-të, kur gëloi piratëria, nisi të krijohet një brezni e re e filmdashësve. Secila shtëpi u shndërrua në “kinema”, ndërsa kinematë e katundeve, të qytezave dhe shumica e tyre nëpër qendra u mbyllën. Nuk i vizitonte askush! Humbi interesimi për të qenë publik.
Breznia e smart-televizorëve dhe, pak më vonë edhe e smart-telefonave, pothuajse e humbi tërësisht interesimin për të ndjekur një film apo një shfaqje në kinema apo në teatër. Politikat kulturore kombëtare nuk ndërmorën asgjë për t’i riorientuar këta brezni kah institucionet që nuk mund të zëvendësohen me asgjë.
Ky rrezik po i kanoset edhe librit. Libri gjithnjë e më shumë po digjitalizohet, gjithnjë e më shumë po na zbrazen bibliotekat prej lexuesve, gjithnjë e më pak po blihet libri nëpër librari të ndryshme. Interneti po na shndërrohet në institucion “të gjitha në një”!
Edhe sporti po luhet nga divani! Janë shter rrugicat, fushat, livadhet ku luhej futbolli i vogël dhe prej nga na dilnin yjet e mëdhenj të futbollit, të mundjes, të karatesë, të basketbollit. Tashmë kemi brezni që të gjitha sportet i luanë kokërr shpine në divani. Edhe “lojërat e luftës” i bëjnë në celular, me kanter-in!
Bota perëndimore qysh para dy-tre decenieve, duke e hetuar rrezikun “e digjitalizimit” të breznive, ndërmori aksione për të prodhuar brezni aktivë. Në çdo lagje e shkolla hapi stadiume për futboll, nisi t’i sponsorizojë të gjithë fëmijët që shprehin interesim për të luajtur futboll nëpër stadiume të improvizuar; nisi t’i paguaj me pagë mujore! Klubet profesionale hapën akademi të futbollit. Profesionistët u lëshuan “në gjah” pas talenteve, duke i rrëmbyer nëpër klube profesionale. Futbolli u bë model se si krijohen breznitë!
Nëpër shumë vise ky model i krijimit të breznive nisi të përdoret edhe në kulturë: u lidhën shkollat me teatrot, me kinematë, me produksionet, me bibliotekat, me artistë e me shkrimtarë. Ekzistojnë biblioteka që kanë hapur kënde për fëmijët, të cilët dëshirojnë të bëhen shkrimtarë! Frekuentimi i këtyre këndeve është shumë i madh, sepse në natyrën e fëmijëve është që një ditë “të bëhen të famshëm”. Aty, meqë janë në bibliotekë, detyrohen edhe të lexojnë, sepse u bëhet me dije që në fillim se nuk do të mësohen të shkruajnë nëse nuk lexojnë. Herë pas herë organizohen takime me shkrimtarë të ndryshëm. Organizohen përcjellje të shfaqjeve, të filmave, takime me aktorë, regjisorë, debate, diskutime, shpjegime. Sot nëpër shkolla të mesme e nëpër fakultete perëndimore mund të gjenden mijëra nxënës e studentë që dinë të shkruajnë një ese për një film apo shfaqje, din gati profesionalisht ta shpjegojnë dhe zbërthejnë një libër të lexuar. Këta janë potencialisht kuadër i ardhshëm i gazetarisë kulturore, janë kritikë të librit, filmit, shfaqjes, vizatimit, muzikës etj.
Në botën shqiptare kanë ngelur ca kinema të cilat më tepër frekuentohen “sa për të humbur kohën e lirë” se sa për të shijuar filmin si art. Vetëm bota shqiptare (Tirana, Shkupi, Prishtina) kanë teatro me nga 200-300 ulëse, të cilat shërbejnë për militantët partiakë e për funksionarë partish, para të cilëve jepet premiera dhe pastaj ato ulëse “konservohen” deri në premierën e radhës. Sikur shkollat shqiptare të hapnin seksione teatror, sikur ato të vizitoheshin pareshtur nga aktorë e regjisorë kombëtarë e të huaj, sikur ato të përgatisnin nga një shfaqje në vit, madje edhe t’i interpretonin nëpër skenat e teatrove profesioniste të kryeqendrave tona, brenda një dekade do të kishim publik aq të madh të teatrit sa do të na duheshin salla me nga 1500-2000 e më shumë ulëse. Politikat e mirëfillta kombëtare në sferën e kulturës janë politika që absolutisht kanë koston më të vogël, ndërsa përfitimet kombëtare mund të jenë të paimagjinueshme.
Ndër ne, krijimi i breznive kulturorë, edhe atë në mënyrë stihike, vërehet vetëm në sferën e folklorit. Shumë ansamble të këngëve dhe valleve popullore, përveç ekipit standard, kanë edhe ekipin e fëmijëve. Ky entuziazëm “i profesionistëve” për të krijuar brezni valltarësh është për t’u përshëndetur, por, nga ana tjetër, brengos fakti që këta “profesionistë” te beznitë e reja po i bartin vetëm hapat bazë të valleve popullore dhe artistike që përbëjnë repertorin momental të ansamblit. Asgjë nuk po bëhet për tubimin e fondit të madh të valleve popullore që duhet të trashëgohen nëpër brezni. /HEJZA/

Leave a Reply