ALI ALIU, TRIMI I MIRË, POR PA SHOKË!

Në fokus

Kohë më parë në Tiranë u botua “Antologjia e poezisë moderne shqipe” e Rudolf Markut. Institucionet nacionale shqiptare që e financuan dhe që e botuan këtë “antologji” ranë në provim, sepse nuk e kuptuan djallëzinë e Markut për të botuar një “antologji gjeografike”! Financuan një projekt seperatist, i cili në mënyrë kategorike refuzon bashkimin letrar e kulturor kombëtar! Libri, në fakt paraqet poezinë “moderne” që krijohet në Shqipëri! Ky është projekti origjinal i Rudolf Markut, i cili edhe vetë e pranon se nuk e njeh poezinë shqiptare që krijohet jashtë Shqipërisë londineze, ndërkohë që këtë injorancë e fsheh prapa titullit pretencioz “Antologjia e poezisë moderne shqipe”!
Këtij provokimi i reaguan ashpër akademikë e intelektualë këndej e andej kufirit, thjesht, duke ia bërë me dije Rudolf Markut se ai dhe poezia moderne shqiptare nuk puçen në asnjë pikë! Rudolf Marku, në vend se të heshtë i turpëruar, ai do të “trimërohet” dhe do të nisë një fushatë denigruese kundër të gjithë atyre që do ta kritikojnë. Natyrisht, i duhet ta mbrojë me “gjak” projektin e huaj për të cilin është paguar! Bravo i qoftë!
U tha gjithçka për këtë “Antologji”, folën njerëz kompetente, kritikë letrarë, të cilët kanë shkruar kritikë letrare më shumë se sa që ka shkruar poezi Rudolf Marku! Më së shumti i paska djegur kritika e Dr. Ali Aliut, i cili, në fushën e kritikës letrare ndonjëherë t’i bënë tërkuzë nervat nga një pedantëri e tepruar, duke i kursyer shkrimet edhe nga më e vogla fjalë kritike negative!
Ali Aliu ka prodhuar dhjetëra poetë shqiptarë, me kritikat e tij superlative ka motivuar e ka nxitur që poetët e rinj të mos rreshtin së shkruari poezi, sepse janë trimëruar nga përkrahja profesionale e kritikut letrar, Ali Aliu!
Ali Aliu, të gjithë këta krijues që i prodhoi, që sot disa prej tyre janë edhe akademikë, doktorë të letërsisë, tashmë edhe kolegë të profesor Aliut, i ka miq për kupë të kresë. Sa herë që shkon në Maqedoni, nuk mundet të çmallet me familjarët e vet, duke u premtuar kafe e drekë këtyre miqve. Po kështu edhe në Kosovë – miqtë, krijuesit që i ka prodhuar, nuk e lënë që të çmallet me familjarët e vet! Është i dashur e i respektuar, gjithnjë pozitiv, i kujdesshëm në ruajtjen e raporteve dhe shumë i respektueshëm.
Zaten, pikërisht për këta shokë, Ali Aliu u nis në “betejë”, ngriti zërin kundër një projekti që i hap rrugë projekteve letrare ogurzezë: “Antologjia e poezisë moderne shqiptare e Shkupit”, “e Prishtinë”, “e Kopanicës”, “e Muçibabës”, “e Laknasit” etj., natyrisht, pa harruar që në krye të çdo “antologjie” të kësaj race të vihet poezia e Bogdanit! Ali Aliu, nuk e pranon për antologji atë ku mungon poezia e Azem Shkrelit, Sabri Hamitit, Ali Podrimjes, Rrahman Dedës, Qerim Ujkanit, Enver Gjergjekut, e Latif Berishës, Muhamet Kërveshit, Teki Dërvishit, Beqir Musliut, Musa Ramadanit, Shaqip Beqirit, Agim Malës, Sali Bashotës, Abdulla Konushevcit, Milazim Krasniqit, Ramadan Musliut, Tahir Deskut, Bastri Çapriqit, Anton Berishajt, Fakete Rexhës, Fehime Selimit, Flora Brovinës, Edi Shukriut, Qerim Arifit, Abdulaziz Islamit, Murat Isakut, Eqrem Bashës, Nehas Sopajt, si dhe e shumë fiq-firiqave, apo çapaçulave, që morën hov në krijimtari letrare pikërisht falë kritikave pozitive të Ali Aliut!
Asnjë nga këta fiq-firiqat, nga këta çapaçulat, që vdesin për ta pirë një kafe e për ta nderuar me ndonjë selfie Ali Aliun, nuk u shqetësua nga rrugaçëria e një “antologjisti” që iu rras mendja se mund t’i masë kapuçat me Ali Aliun. Asnjë nga “prodhimet” e profesorit nuk i dolën në krah dhe t’i reagonin Markut, duke ia bërë me dije se ka gabuar rëndë me projektin antikombëtar! I reagoi edhe Agim Vincës, i cili për poezinë që krijohet në Shqipëri ka bërë shumëfish më tepër seç mund të ketë bërë Rudolf Marku! E ofendoi edhe Mehmet Krajën dhe akademikë e intelektualë të tjerë! Të ofendosh ajkën e intelektualitetit shqiptar në mbrojtje të projektit antikombëtar duhet të jesh ose i pacipë ose me tru të atrofizuar e i përkrahur nga Rusia me Serbinë brenda!
Po shokët dhe miqtë e kafesë së Ali Aliut, që parapëlqyen të ngelin vëzhgues memecë të kësaj “beteje” me kë janë: me “krijuesin” e tyre apo me arushën? Një gjë është më se sigurt, në taborrin tjetër nuk do të dilte asnjë shqiptar normal që ta mbronte projektin antikombëtar të Rudolfit (sa emër i shëmtuar në krahasim me emrin Ali “në katrorë”)! /HEJZA/

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=pfbid0Tp5xppWVDvjsR3LemPYJccZbBDKqYXbvKpyuCruBh4N6i8vkBo4wpAVFBfbw4z2Al&id=100072218703108&mibextid=Nif5oz

Leave a Reply